Sulmuesi Hamdi Salihi “gjen parajsën” në Kinën e largët
Hamdi Salihi po përjeton një moment të shkëlqyer me skuadrën e tij të re, atë kineze Jiangsu Santu. Me një vit të vështirë prapa në SHBA dhe i mbërritur në një realitet të ri, u duk se simbolikisht Hamdi Salihit i duhej të ngjiste murin kinez për të rikthyer karrierën e tij në binarët e duhur. Dy muaj më pas, muri kinez jo vetëm që është ngjitur, por ngjan që shkodrani po qëndron në majën më të lartë të tij. Ai ka shënuar në të tri kompeticionet me klubin duke pasur një impakt të menjëhershëm në futbollin kinez. Mediat i kanë thurur elozhe. “Hero” dhe “shpëtimtar” kanë qenë vetëm disa nga epitetet për të. Gazeta “Yangtze Evening News” i ka dedikuar një shkrim të gjatë. “Salihi është në zenitin e formës së tij. Te Jiangsu Sainty është ai pika e referimit të të gjithë skuadrës. Ka shënuar radhazi në Champions League (aziatik), Superkupën e Kinës dhe në kampionat. Është fenomeni i ri i skuadrës dhe jo vetëm asaj, i gjithë kampionatit”, shkruan “Yangtze Evening Neës”, që më pas vëren se Salihi ka treguar edhe përulësi, një gjest që është pritur mirë”- shkruhej në këtë gazetë. Ajo më pas, i referohej paraqitjeve të mira por më së shumti për golat e shumtë të shënuar në pak ndeshje. E ka bërë këtë gjë si në ndeshjet e Champions Leagues të Azisë, në Superkupën dhe kampionatin e Kinës. Hamdi Salihi ka filluar t’i përshtatet jetës në këtë vend megjithatë ai e ndjen mungesën e bashkëshortes dhe vajzës së saplindur. “Më mungon familja, bashkëshortja dhe vajza e vogël e ardhur në jetë pak kohë më parë por shpresoj që ata shumë shpejt të vijnë në Kinë dhe t’i kem pranë”- ka thënë Salihi për gazetën në fjalë.