Të dorëzuar, por të padeklaruar? Cila është situata reale tek Apolonia? Fakti është se ka “kërcitje” midis asaj që deklarojnë në media dhe asaj çka bëjnë në fushë fierakët. Mjafton të shohim dy ndeshjet e fundit, me Tiranën dhe Teutën, për të kuptuar më tepër.

Më qartë flasin përzgjedhjet e trajnerit Kamarata gjatë këtyre dy javëve të fundit, si dhe një stol “i vakët” dhe pa shumë alternativa, sidomos ndaj Teutës. Një skuadër mund të bëjë eksperimente në formacion kur e ka përmbushur detyrimin ose kur ka hequr dorë nga objektivi, ja pse fierakët “nën zë” duken të dorëzuar dhe të pashpresë. Gjithsesi, mbeten stoikë që, pavarësisht përzgjedhjeve që bën Kamarata, të gjithë do të përpiqen të japin maksimumin në çdo ndeshje.

MARIO GJATA – E ka nisur nga stoli në dy ndeshjet e fundit, por sulmi fierak vazhdon të identifikohet me emrin e 20-vjeçarit Mario Gjata. Jo vetëm pse ai është shënuesi më i mirë i skuadrës me 6 gola, por edhe se “rivali” i tij, Mario Vasilj, pavarësisht përvojës, është ende larg formës së tij dhe akoma nuk ka fituar përkatësinë e duhur me grupin titullar.

Për “Panorama Sport”, Gjata nuk e mohon gjendjen e nderë të skuadrës, por deklaron njëherësh se Apolonia do të vazhdojë të luajë dhe do të provojë mundësitë e saj. Sulmuesi fierak e nis nga lënia jashtë formacionit titullar në dy ndeshjet e fundit, duke thënë:

“Formacioni dhe përzgjedhja e lojtarëve janë e drejta e trajnerit dhe kjo gjë nuk vihet në diskutim. Unë kam qenë gati në çdo kohë kur skuadra ka pasur nevojë për shërbimet e mia dhe jam përpjekur të bëj më të mirën në fushë”. Golashënuesi i Apolonisë flet pastaj për momentin që po kalojnë bardhejeshilët dhe për atë që pritet nga kjo skuadër, duke nisur që nga ndeshja me Vllazninë.

“Ndodhemi në pozita të vështira, ky është fakt dhe nuk ka nevojë për fjalë të tepërta. Por, neve na duhet të tregojmë vlerat tona më të mira, si në aspektin individual, ashtu dhe në grup dhe nuk ka arsye pse të lëshojmë, pasi asgjë nuk ka përfunduar. Do të luajmë deri në fund me të gjitha forcat dhe mundësitë tona.

Ndeshja e radhës na vë përballë Vllazninë, skuadër që e respektojmë shumë për emrin, traditën dhe atë që ka bërë gjatë këtij kampionati. Ndaj skuadrave cilësore ne kemi luajtur më të çliruar dhe kemi marrë jo pak rezultate pozitive, ndaj dhe shpresoj që ta bëjmë diçka të tillë edhe këtë herë ndaj shkodranëve.

Ne nuk bëjmë llogaritë e të tjerëve, nuk na intereson askush veç vetes sonë, ndaj do të luajmë pa as më të voglin kompromis, duke pasur si objektiv rezultatin maksimal ndaj Vllaznisë kësaj jave dhe ndaj çdo kundërshtari tjetër gjer në fund të kampionatit. E ardhmja ime? Mos më pyesni tani, është herët. Unë jam pjesë e Apolonisë, më vonë të shohim, atë e di klubi, ata vendosin”, përfundoi Gjata.