Një nga blerjet e merkatos së janarit për Vllaznisë ka qenë dhe sulmuesi Ivan Jablan, 32-vjeç. Thuhet se në 3-4 sezonet e fundit ka qenë ndër më të mirët në kampionatin malazez, prej nga vjen dhe ai, por të dielën, në stadiumin “Loro Boriçi”, që ishte dhe ndeshje e tij e parë zyrtare me kuqeblutë, nuk ka bindur në asgjë. Pritej më shumë prej tij në përballjen me Laçin, por ai në fushë u shfaq vetëm një futbollist i zakonshëm me ata, të cilët zbritën e tapetin e blertë, nga të dyja skuadrat. Dukej qartë se i mungonte përgatitje fizike. Më pas kemi mësuar se kishte vetëm një javë stërvitjeje me Vllazninë në Ulqin, që prej muajit dhjetor 2011-të, kur edhe është ndërprerë kampionati malazez. Gjithsesi stafi teknik, por dhe sportëdashësit mbeten me shumë se me kalimin e javëve ai do ta marrë veten dhe do të jetë akoma më produktiv. Gjithçka i mbetet kohës për t’u parë dhe vërtetuar, pasi Vllaznia ka shumë nevojë për një sulmues potent dhe me përvojë në vijën e parë të sulmit. Ndërkohë, që ende nuk e kemi parë të luajë me kuqeblutë, mesfushorin-sulmues Nenad Brnoviç, për të cilin thuhet se është i dëmtuar që pas takimit miqësor, me Petrovacin, të zhvilluar në Mal të Zi, gjatë mini-fazës përgatitore, që Vllaznia zhvilloi në shtetin fqinj, në muajin janar.

Mejdan ZHIVANI