Dinamon po e përndjek fati i keq në këto javë të fundit të 2024-ës, pasi disa lojtarë të rëndësishëm të formacionit kanë pësuar dëmtime. Rustem Hoxha, Mateo Muzek dhe Dejvi Bregu janë emrat që kanë vuajtur nga dëmtimet më të gjata te blutë.

Shqetësimi i fundit për trajnerin Ilir Daja dhe stafin e tij ka të bëjë me sulmuesin Peter Itodo Mandela, i cili ka një problem muskulor dhe mund ta humbasë ndeshjen e nesërme kundër Vllaznisë në “Loro Boriçi”. Do të ishte një mungesë e madhe për kryeqytetasit, pasi ai është sulmuesi kryesor, autor i 7 golave deri tani. Për më tepër situata do të bëhej më e komplikuar nga fakti se Dinamos i mungon prej dy ndeshjesh edhe Dejvi Bregu po për shkak dëmtimi.

Nigeriani i bluve doli nga fusha në ndeshjen me Teutën kur nuk ishte mbushur ende gjysmë ore lojë. Mandela ndjeu një tërheqje muskulore dhe stafi teknik menjëherë vendosi të mos rrezikojë më shumë dhe e zëvendësoi me Nanin. Nuk bëhet fjalë për një dëmtim serioz, sipas burimeve të gazetës pranë klubit blu, por sulmuesi 21-vjeçar është në dyshim për transfertën me Vllazninë. Situata do të jetë më e qartë sot, por logjika e thjeshtë është se lojtari mund të kursehet, aq më tepër që këtë periudhë ndeshjet janë shumë të ngjeshura.

Nigeriani ka rezultuar deri tani një nga blerjet më të goditura të Dinamos dhe Superiores. Ai ka realizuar 7 gola me fanellën e “Nëndetëses”, po aq sa edhe Zabërgja dhe të dy bashkë ndjekin Balajn (8 gola” në listën e golashënuesve më të mirë. Pas tyre vjen Bregu me 5 gola, por që është ndalur pas derbit me Partizanin për shkak dëmtimi dhe pritet të rikthehet në 2025- ën. Nëse Mandela nuk ia del për të qenë në fushë në Shkodër, atëherë alternativa kryesore për ta zëvendësuar është Nani, i cili shënoi golin e parë me Dinamon në ndeshjen e fundit me Teutën.