Ditët e fundit është pritur firmosja e kontratës së re nga ana e tij por nuk ka ndodhur kështu. Sulmuesi kosovar Kastriot Rexha ende nuk është i bindur nëse do jetë pjesë e Vllaznisë apo jo për sezonin e ri. Kjo ngaqë ai nuk është krejt dakord me një pikë të kontratës së ofruar nga ana e klubit teksa një pjesë e përfitimit financiar të tij do të jetë e kushtëzuar nga luajtja apo jo e ndeshjeve zyrtare. Drejtuesit e klubit shkodran, në të gjitha kontratat e firmosura deri më tani, e kanë vënë këtë klauzolë. Pikërisht për të rritur edhe më shumë dëshirën e futbollistëve për të dhënë më të mirën në fushë dhe po ashtu edhe për t’ i motivuar më shumë ata. Të tjerët e kanë pranuar këtë klauzolë ndërsa Rexha ende jo. Por ndërkohë ai pas kontaktit të fundit që ka patur me drejtorin Grima, ka luajtur edhe disa minuta në miqësoren me Tërbunin dhe më pas nuk është parë më në stërvitje. Ka munguar në seancën e së enjtes dhe në dy seancat e djeshme. Shokë të tij të skuadrës bëjnë të ditur se sulmuesi ka udhëtuar drejt Kosovës. Mbase për të folur më nga afër me familjarët e tij për kontratën e ofruar nga Vllaznia, mbase për të mos u kthyer më. Megjithatë gjërat duhen ndarë sa më shpejt. Kuqeblutë nuk kanë ndër mend të tërhiqen nga rregullat e përgjitshme që kanë vendosur për këtë sezon. Qoftë kjo edhe për Rexhën që mendohet të jetë sulmuesi kryesor i tyre në sezonin e ri megjithatë është e qartë se nuk kemi të bëjmë me një futbollist që i zgjidh i vetëm ndeshjet. Prandaj duhet pritur edhe një apo dy ditë për të mësuar fatin përfundimtar të këtij futbollisti.