Sulmuesi shkodran Albi Shpuza po e vijon në mënyrën e duhur përvojën e tij në futbollin kosovar. Pasditën e djeshme, ai ka gjetur golin e dytë me skuadrën e tij, Phoenix të Banjës, duke e ndihmuar atë të merrte një fitore me shumë vlerë ndaj ekipit të Suharekës.
Në fakt, do të ishte pikërisht 20-vjeçari shkodran që do ta dërgonte topin në rrjetën e portës kundërshtare, duke bërë që Phoenix të merrte një fitore me shumë vlerë me rezultatin 1-0.
Ky është goli i dytë i Albi Shpuzës në Kosovë, por që me shumë mundësi do të pasohet në të ardhmen nga të tjerë, sepse ky futbollist i ka të gjitha të dhënat për të qenë një sulmues i spikatur dhe një goleador i vërtetë.
Kujtojmë që gjatë sezonit të kaluar, ky futbollist ka qenë pjesë e ekipit kampion Vllaznia U-21, por gjatë verës u largua për tek Phoenix, ngaqë në klubin shkodran nuk i ofruan kontratë./SHKODRA-SPORT.COM/