Sidrit Guri, ishte një nga emrat më të spikatur të futbollit shqiptar, sezonin që lamë pas me paraqitjet që bëri në kampionatin shqiptar. Pas asaj forme shumë të mirë, ai u transferua tek Oostende, në kampionatin belg.

Aventura e tij tek ky ekip duket që nuk po shkon aq mirë sa pritej. 25-vjeçari është një lojtar stoli dhe futet rrallë në fushë. Ai nuk ka bindur trajnerin dhe stafin drejtues, të cilët kanë gjetur zëvendësuesin e tij.

Tom De Suter, një sulmues 33-vjeçar belg me shumë eksperiencë, i cili ka luajtur në ekipe të ndryshme në Belgjikë e jashtë saj, është ai që do të marrë mbi shpatulla ekipin.

Ndërkohë hapësirat për Gurin do të jenë të pakta dhe kështu një largim nga skuadra është shumë i mundshëm. Shqiptari është nxjerrë në merkato dhe një ofertë sado e vogël të jetë do të pranohet për lojtarin, i cili duhet të kërkojë një ekip të ri.