Besart Berisha ka regjistruar fillimin më të dobët të sezonit që nga momenti kur shkeli për herë të parë në Australi në vitin 2011. Pas 12 ndeshjesh të zhvilluara, ish-sulmuesi i përfaqësueses shqiptare i cili zgjodhi një vit më parë të kalonte te Kosova, ka regjistruar vetëm 4 gola të shënuar. Por lojtari mendon se nuk është plotësisht faji i tij për këtë ecuri aspak të mirë me Melburn Viktori.
“Unë shënoj, por VAR-i vazhdon të mi heqë”, theksoi Berisha për mediat australiane, duke kujtuar se i ishin anulluar dy gola deri tani nga video-asistenti.
“Ka qenë një fillim i vështirë për këdo, por po bëjmë kthesën. Kemi treguar në ndeshjet e fundit se po luajmë futboll të shkëlqyer dhe po përmirësohemi. Besoj se në këtë mënryë edhe golat do të kthehen”, tha ai.
Berisha pret që në fillimin e vitit të marrë nënshtetësinë australiane, pasi synon të jetojë në një vend ku ka kaluar pjesën më të lumtur të karrierës së tij futbollistike dhe ku mban rekordin si golashënuesi më i mirë të gjitha kohëve në kampionat.“Shpresoj që të realizohet në janar apo shkurt. Unë do të bëhem australian dhe kjo do të thotë shumë për mua. Ky shtet është aty ku unë fillova të luaj përsëri futboll të mirë dhe të arrij shumë gjëra. Jam shumë mirënjohës dhe kjo është arsyeja pse jam ende këtu”, shpjegoi Berisha i cili pak ditë më parë rinovoi edhe për një tjetër sezon kontratën me Melburn Viktori. /vipsport.al/