Fitore me përmbysje e Genoas përballë Lecces së Ylber Ramadanit. Skuadra e Alberto Gilardinos triumfoi 2-1, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi dhe rezultatin e shtatë radhazi pozitiv në Serie A.

Miqtë kaluan të parët në avantazh. Malazezi Nikola Krstovic zhbllokoi takimin pas gjysmë ore lojë, teksa më parë kishte humbur një penallti.

Genoa nuk u dorëzua dhe përmbysi gjithçka në fraksionin e dytë të takimit. Mateo Retegui barazoi shifrat në minutën e 70’.

Gjashtë minuta më pas erdhi edhe goli i fitores. Ish-sulmuesi i Partizanit, Caleb Ekuban tundi rrjetën kundërshtare falë një veprimi të bukur akrobatik.

Ylber Ramadani u ndëshkua me karton të verdhë në minutat shtesë, duke humbur përballjen e radhës me Fiorentinën.