Lufta për mbijetesë në Kategorinë Superiore në këtë sezon ka qenë shumë e ethshme dhe kjo shihet qartësisht edhe nga fakti se kur mbeten vetëm tre javë për t’u luajtur deri në fundin, gjithçka duket e hapur sa i përket emrit të ekipit që do të qëndrojë në elitë edhe edicionin e ardhshëm. Tashmë duket si një duel i kufizuar mes Tiranës dhe Kastriotit, një sfidë e cila mund të sjellë një rekord të ri pikësh në Kategorinë Superiore.

Që më rivendosjen e skemës me 10 skuadra dhe katër faza në sezonin 2014-2015, kuota e mbijetesës është rritur ndjeshëm dhe po rrezikon që t’i afrohet shumë asaj të skuadrave që luftojnë për të marrë pjesë në Europë, nëse vazhdon të përshkallëzohet në këtë mënyrë.

Në sezonin 2014-2015, Apolonia ra duke u renditur e parafundit me 25 pikë pas 36 javësh, ndërsa mbijetuan Teuta me 29 apo Vllaznia me 33. Një vit më vonë, Bylis mbylli në vendin e 9 kampionatin me 32 pikë duke rënë më poshtë, ndërsa mbijetuan Flamurtari me 35 pikë e Laçi me 36.

Edicioni 2016-2017 pa të binte Tiranën me një kuotë piksh që u cilësua shumë e lartë asokohe, 39 pikë, ndërsa mbijetuan 4 skuadra me nga 40 pikë: Flamurtari, Laçi, Teuta dhe Vllaznia. Kjo e fundit ra një vit më vonë, duke thyer mitin e 40 pikëve e vendosur një tjetër rekord e tejkaluar kuotën e bardhebluve, pasi u rendit e 9-ta me 44 pikë, ndërsa para saj kishte Kamzën me 46.

Situata e kampionatit aktual sheh të mundshme thyerjen përsëri të kuotës së pikëve të rënies së skuadrës së 9 dhe vendosjen e një rekordi të ri me 45 pikë që mund të arrihen nga Kastrioti (38 pikë aktualisht) apo edhe Tirana (40 pikë aktualisht), që mund të bjerë nga kategoria me 46 pikë. Një situatë e pabesueshme në fillimin e sezonit, ku për rivalitetin e fortë me ekipeve, mendohej se një kuotë e tillë pikësh do të afronte shumë këdo ekip me zonën e Europës. /vipsport/