Skënder Gega u tregua profesionist që refuzoi kushtin për titullin te Kukësi. Kështu thotë trajneri me përvojë, Faruk Sejdini, në intervistën për Abc News, ndërsa flet edhe për garën për titullin kampion.
Një tjetër trajner i larguar, por edhe një fenomen tipik. Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, shkarkoi Shpëtim Duron, dhe u përpoq të merrte Skënder Gegën, i cili refuzoi kushtin në kontratë për t’u shpallur kampion me patjetër.
A është një kusht i mirë apo i keq, për këtë mund të flasë me kompetencë një njeri i vjetër i këtij profesioni si Faruk Sejdini, i cili nuk ka dyshime në intervistën për Abc News.
“Unë mendoj se futbolli ka ligjet e veta, pavarësisht se nuk është shkencë ekzakte. Kur futen në garë janë shumë ekipe që kanë pretendime për titullin kampion. Deduksioni logjik thotë që të gjithë këto trajnerë që nuk dalin kampionë, të shkarkohen. Pra mendoj që nuk ka asgjë logjike”.
Si do t’i dalë Kukësit ky ndryshim stoli 12 javë para fundit?
“Në përgjithësi nuk para dalin për mirë lëvizjet. Do thoni ju pse Tiranës i doli për mirë ndryshimi i trajnerit? Egbo vinte nga origjina e vet, nga stoli i Tiranës dhe e dinte mirë se për çfarë kishte nevojë Tirana, çfarë i mungonte Tiranës. Më diçka shumë të vogël e futi në garë Tiranën”.
Tirana, sipas të gjitha gjasave, duhet të quhet favorite për titullin?
“Deri në fund gara për titull do të e hapur. Duhet të pranojmë edhe një fakt, edhe vetë Tirana do të ketë ndonjë moment cedimi. Rivalët do afrohen më shumë dhe gara do bëhet më interesante. Gara do jetë mes Tiranës dhe Kukësit, jo se Partizani ka një ekip të keq, por do njëfarë kohe të dalë nga ky ngërç”.
Dy ekipet e fundit, Luftëtari e Flamurtari, praktikisht kanë rënë nga kategoria.
“Gjithmonë kam dashur që ekipet e fundit të mos përcaktohen shpejt, pasi fundi e prish kampionatin. Megjithatë shoh që deri në këto momente nuk kanë toleruar. Mos të harrojmë që janë 3-4 ekipe që janë për “play out”. Kështu që edhe atje do jetë një garë e ashpër.”/abcnews