Në një periudhë kur në vendin tonë mbizotëron debati rreth financave të futbollit dhe nëse klubet duhet të paguajnë detyrimet e prapambetura apo jo, një shembull shumë interesant vjen nga Spanja.
Zyra e Taksave dhe Tatimeve në Spanjë, ka publikuar sot listën e debitorëve më të mëdhenj, me 3820 persona apo kompani që i detyrohen shtetit shuma të papaguara. Në majë të kësaj liste, si debitori më i madh, është është një futbollist.
Nuk bëhet fjalë për një lojtar dosido, por për brazilianin Nejmar. Ashtu si Kristiano Ronaldo e Mesi para tij, edhe ai ka siguruar fitime kolosale gjatë qëndrimit në Spanjë e po në të njëjtën mënyrë ka menduar se statusi i tij si yll futbolli e lejon që të anashkalojë pagesën e taksave. Detyrimet janë akumuluar në vite dhe atyre u janë shtuar edhe kamatvonesat.
Ndaj tani, Nejmar rezulton si individi që I detyrohet më shumë shtetit spanjoll, plot 34,6 milionë euro, shifër që rritet dita-ditës pasi braziliani nuk po paguan këto shuma që i detyrohet shtetit. Kështu, ai është i pari në këtë listë të bërë publike.
Ndërsa autoritetet spanjolle kanë nisur prej kohësh procedimin penal ndaj tij, duke filluar me bllokimin e disa pasurive të patundshme që ai ka në Spanjë. Përveç pagesës së kësaj shume, në përfundim të gjyqit që ka nisur ndaj tij, Nejmar rrezikon që të marrë edhe një gjobë të majmë. /vipsport/