10 trajnerë të shkarkuar gjithsej në Abisnet Superiore në harkun e një sezoni. Mesatare e pranueshme dhe gjithsesi në ulje në krahasim me edicionet e mëparshme, duke demonstruar disi më stabilitet dhe durim për sa i përket një prej profesioneve më delikate në botë, atij të trajnerit.

Jo më kot thuhet se janë gjithnjë me valixhe në dorë, e megjithatë në Shqipëri në veçanti durimi me teknikët nuk është se ka qenë vitet e fundit vetia që ka dalluar presidentët e klubeve, që gjithsesi këtë sezon kanë qenë më të kujdesëshëm.

Vetëm Orges Shehi, kampion i sapo kurorëzuar me Tiranën, dhe Diego Longo në stolin e Kukësit janë teknikët që kanë rezistuar që nga fillimi i kampionatit deri më sot, të gjithë të tjerët kanë marrë skuadrën në sezon e sipër.

Spikasin si skuadrat me më shumë ndryshime Laçi dhe Dinamo që kanë ndryshuar 3 herë drejtimin teknik. Kurbinasit që patën një nisje zhgënjyese me malazezin Vukicevic, reaguan shpejt duke angazhuar Mirel Josën, që u penalizua pas një faze të tretë jo rezultative për t’ja lënë vendin Shpëtim Duros.

Te Dinamo Bledi Shkëmbi edhe pse i mbijetojë pauzës nuk mundi të rezistojë gjatë, duke i lënë vendin Bledar Devollit që vetëm pas disa ndeshjesh u zëvendësua nga Rodolfo Vanoli, ende në kërkim të fitores së tij të parë me Dinamon, por që betohet se suksesin do ta gjejë edhe në Kategorinë e Parë.

Rast specifik ai i Teutës, që ka ndryshuar vetëm dy emra gjatë sezonit, por nga dy herë, me Edi Martinin që i la vendin Renato Arapit, klubi bëri prapakthehu pas disa javësh, por në fund konfirmoi sërish rrokadën me shkodranin që i la përfundimisht vendin ish-mbrojtësit.

Për të gjitha klubet e tjera nga një ndryshim, sensacional ai i Partizanit, ku një ndër trajnerët më të mirë ne vend, Ilir Daja nuk pati sukses, u largua drejt Kosovës për ta fituar aty titullin kampion. Ndërsa zëvendësi i tij Dritan Mehmeti konfirmoi besimin e klubit me skuadrën që aktualisht është në zonën europiane.

Një tjetër trajneri i ri spikati te Kastrioti, ku Emiljano Çela bëri mrekullinë duke shpëtuar skuadrën që dukej drejt një rënie të sigurt pasi pasoi në stol Ramazan Ndreun.

I dha lamtumirën Vllaznisë Thomas Brdaric, me Plorin që pati një fillim aspak të lehtë si trashëgimtar i tij në stolin “kuqeblu”.

Te Egnatia Gugash Magani u shkarkua në mënyrë befasuese, pas rezultateve mjaft të mira, me klubin që atë kohë pretendonte se ishte larg Europës, por në fund edhe me drejtimin e Zekirija Ramadanit i duhet të kënaqet me mbijetesën, ende të pasiguruar zyrtarisht, ndërkohë që as Skënder Gega nuk mundi t’i bënte derman një Skënderbeu ku Migen Memelli u detyrua të largohej.

Për sa i përket trajnerëve ndërkohë, një fakt interesant vjen nga Tirana, aty ku dy titujt e fundit, janë fituar nga dy trajnerë që në fushë kanë bërë portierin, Emmanuel Egbo dhe Orges Shehi, duke hedhur poshtë diskutimin nëse titullin e fiton mbrojtja apo sulmi, pasi nga stoli te “bardheblutë” titullin e fitojnë…. portierët.

Trajnerët e një sezoni

Skuadra Trajnerë

Tirana Orges Shehi

Laci Vukicevic – Josa – Duro

Partizani Daja – Mehmeti

Vllaznia Brdaric – Plori

Kukësi Diego Longo

Teuta Martini – Arapi (x2)

Kastrioti Ndreu – Ccela

Egnatia Magani – Ramadani

Skënderbeu Memelli – Gega

Dinamo Shkëmbi – Devolli – Vanoli