Kategoria Superiore do të luajë sot edhe dy takime të tjera në kuadër të javës së katërt. Pas fitores së Kukësit në transfertë ndaj Teutës, Partizani e ndjen më shumë presionin dhe sot ndaj Laçit i duhet një fitore për të marrë i vetëm vendin e parë.
Ndërkohë që edhe Laçi do të provojë që të marrë një rezultat pozitiv pasi në vitet e fundit ka treguar se di të bëjë çdo ekip që të vuajë.
Laçi vjen në këtë takim nga një barazim 1-1 ndaj Skënderbeut në transfertë që ka rritur ndjeshëm moralin te bardhezinjtë, ndërkohë që “demat e kuq”, kanë arritur të mundin Kastriotin në shtëpi, me rezultatin 1-0. Ndeshja mes Laçit deh Partizanit, nis në orën 15:45 dhe luhet në stadiumin e Laçit.
Në kryeqytet, luhet një tjetër takim interesant, ku Tirana e Ze Marias do të presë ekipin e vetëm me zero pikë në Kategorinë Superiore, Luftëtarin. Humbja e fundit ndaj Kukësit me rezultatin 3-1, ka lëkundur jo pak pozitat e trajnerit të Tiranës dhe fitorja në ndeshjen e sotme është detyrim.
Nga ana tjetër, Kostiç ndihet më i rrezikuar se Ze Maria pasi në 3 javë nuk ka arritur të marrë asnjë pikë dhe skuadra e tij ka shënuar vetëm një gol përballë Laçit.
Nëse Luftëtari del pa pikë edhe nga takimi i sotëm, atëherë posti i Kostiç do të vihej në një pikëpyetje të madhe. Në “Selman Stërmasi”, duke filluar nga ora 18:45, Tirana dhe Luftëtari do të provojnë të dalin nga kriza.