Superiorja ditën e sotme do të luajë ndeshjet e mbetura të javës së 23-të të kampionatit. Duele mjaft interesante janë në program, ku 3 ekipet e kryeqytetit do të marrin vëmendjen.

Kështu 3 sfidat do të luhen në 2 orare të ndryshme. Gjithçka do të startojë me sfidën mes Laçit – Partizanit. Sfidë që luhet në Laç në orën 13:30. “Demat” do të tentojnë vetëm fitoren për të mbajtur hapin e Egnatias kryesuese, ndërsa kurbinasit për t’iu larguar sa më shumë zonës së mbijetesës.

Ndërkohë në “Elbasan Arena” do të sfidohen mes tyre Dinamo dhe Skënderbeu. Takim që do të startojë në orën 16:30. Skuadra e Ilir Dajës do të luajë “all-in” për 3 pikët si e vetmja mënyrë për të mbajtur hapin e rivalëve, ndërsa nga krahu tjetër korçarët të ndodhur në fundin e klasifikimit duan të vazhdojnë me ecurinë  pozitive për të shpresuar te mbijetesa.

Paralelisht do të luhet edhe në Durrës. Në “Niko Dovana” do të sfidohen mes tyre Tirana – Elbasani. Një duel shumë i luftuar mes dy ekipeve që janë të “dënuar” vetëm për fitoren. Bledi Shkëmbi pas fitores në javën e kaluar kërkon një tjetër rezultat pozitiv për të lënë fundin e klasifikimit, ndërkohë ekipi i Ivan Gvozdenovic tenton rikthimin te fitorja pas rezultateve negative në javët e fundit.