Liga e Kampionëve tani ka një favorit të ri për titullin e këtij sezoni pas eliminimit të Manchester Cityt në fazën çerekfinale. Përkundër faktit që u cilësuan si favoriti kryesor për të fituar titullin e Ligës së Kampionëve më herët gjatë kësaj jave, ëndrrat e Cityt u shuan pas humbjes në penallti ndaj Real Madridit.
Në një kthesë të papritur të ngjarjeve, Bayern Munichu doli fitues ndaj Arsenalit në duelin e tyre në çerekfinale. Krahas faktit që ‘Topçinjtë’ u cilësuan favorit në këtë takim, Bayerni tregoi edhe një herë tjetrën forcën e saj, duke siguruar një fitore me rezultat minimal 1-0 në ‘Allianz Arena’.
Paraqitja e tyre e mirë ndaj klubit londinez, bëri që Bayerni të ketë 16.9 për qind shanse për të fituar titullin e Ligës së Kampionëve.
Paris Saint-Germaini dhe Borussia Dortmundi kanë siguruar dy vende në gjysmëfinale pas rikthimeve të jashtëzakonshme në ndeshjet e tyre respektive.
PSG-ja kompletoi rikthimin ndaj Barcelonës në ‘Montjuic’ duke fituar me shifrat 4-1, ndërsa Borussia Dortmundi në një ‘festival golash’ arriti që me fitoren me rezultat 4-2 të avancojë tutje.
PSG-ja tani ka 27.4 për qind shanse për të fituar trofeun ndërsa Borussia Dortmundit i është dhuruar 16.4 për qind shanse, teksa të dy ekipet po synojnë që të lënë shenja në skenën më të madhe të futbollit evropian.
Pas triumfit të jashtëzakonshëm ndaj Manchester Cityt, Real Madridi ka ‘rrëmbyer’ pozitën e klubit favorit për të fituar garën më prestigjioze për klube në futbollin evropian sipas një parashikimi të fundit nga superkompjuteri.
Pasi i rezistuan një ‘breshërie’ prej 33 goditjeve në drejtim të portës si dhe siguruan fitoren në penallti, kjo falë intervenimeve fantastike nga ukrainasi Andriy Lunin, Real Madridi tani ka 39.3 për qind shane për të fituar trofeun e 15-të të Ligës së Kampionëve./Telegrafi/