Arena Kombëtare është edhe zyrtarisht kandidate për organizimin e finales së Superkupës së Europës për vitin 2020.
Proçesi përfundoi me mbylljen e praktikës së depozitimit të dosjes te UEFA. Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi përfundimin e plot të dosjes së aplikimit për kandidaturën, ku objektivi mbetet që impianti i ri në kryeqytet, që është edhe stadiumi më modern në rajon të përurohet me një ndeshje të nivelit të lart ndërkombëtar.
Sipas institucionit që drejton futbollin në vend “ideja për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm në kalendarin e futbollit Europian, vjen nga dëshira për promovimin e vlerave të mikpritjes shqiptare,
si dhe nga ambicja për zhvillimin e emrit të mirë të kulturës sportive në Shqipëri, e nxitur kjo, edhe nga përfundimi i shpejtë i ‘Arenës Kombëtare’, punimet e të cilit vijojnë me intensitet shumë të lartë”.
Me finalen e vitit 2019 që do të zhvillohet në “Besiktas Arena” të Stambollit, kandidatura e dytë radhazi për organizimin e Superkupës së Europës është cilësuar si një hap me rëndësi absolute jo thjesht nga pikëpamja sportive, “por mbi të gjitha për imazhin e Shqipërisë, dhe sidomos Tiranës”.
Në njoftimin e saj, ku zyrtarizoi dorëzimin e dosjes pranë UEFA-s, Federata e Futbollit shprehu mirënjohjen edhe për të gjitha institucionet që bashkëpunuan në plotësimin e kritereve të kërkuara,
mes të cilave Sekretari i Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkinë e Tiranës, por edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
Për organizimin e Superkupës së Europës 2020 Arena Kombëtare ka si rivalë Dinamo Stadium në Minks të Bjellorusisë, Helsinki Olympic Stadium në Finlandë, Grand stade de Nice në Francë, impiantin Sami Ofer në Haifa të Izraelit, Almaty Central Stadium në Kazakistan,
Zimbru Stadium në Chisinau të Moldavisë, Winsdor Park në Belfast të Irlandës së Veriut dhe impiantin e Portos, Dragao Stadium në Portugali.