Ditët e fundit, UEFA ka publikuar një raport me detaje nga klubet dhe nga ligat e ndryshme në Europë që lidhet me gjithçka të deklaruar në institucionin më të lartë në Europë.

Ajo që na intereson më së shumti, lidhet me Kategorinë Superiore dhe gjithmonë kurioziteti ynë më i madh lidhet me pagat e futbollistëve dhe shpenzimet e klubeve.

Kështu, të gjitha klubet e Superiores, kanë shpërndarë në vitin 2017 plot 5.4 milionë euro të cilat janë shpërndarë si rroga për futbollistët, ku sipas një llogari të thjeshtë, çdo klub që ka luajtur në Superiore, ka shpërndarë mesatarisht 0.5 milionë euro paga futbollistësh.

Kjo shifër, duket shumë larg nga ligat e tjera në Europë, ndërkohë që më keq se Shqipëria janë shumë pak vende të tjera. Kosova e cila në vitet e fundit ka treguar një rritje të ndjeshme në futboll, ka një mesatare më të ulët se Shqipëria, duke qenë se në vitin 2017, është shpërndarë një mesatare rrogash në vlerën 0.2 milionë euro për klub.

Duke përjashtuar ligat më të mëdha në Europë, rekord për shpërndarje pagash mban Norvegjia, ku klubet kanë një mesatare që arrin në 5.1 milionë euro për klub, aq sa shpërndajnë të gjitha klubet e Superiore së bashku. Izraeli, San Marino dhe Lihtenshteini janë ligat me mesataren më të ulët, 0.1 milionë euro. /VipSport/