Është mbyllur java e 24-t e kampionatit të Kategorisë Superiore, me dy ndeshjet e pasdites, ku Partizani ka fituar bindshëm në “Selman Stërmasi” ndaj Luftëtarit me rezultatin 3-0, ndërkohë që Skënderbeu ka mposhtur në shtëpi ekipin e Lushnjës, me rezultatin 3-1.
Pas shkarkimit të trajnerit Sulejman Starova, për pasojë të barazimit ndaj Teutës, të kuqtë janë rikthyer te fitorja, në një triumf të rëndësishëm përballë Luftëtarit, me golat e realizuar nga Batha në të 33’ e 82’ dhe autogoli i Jakovljevic në të 72’.
Një fitore që është reflektuar edhe në klasifikim, me Partizanin që ka parakaluar Luftëtarin, duke u renditur në vend të 5-të, në kuotën e 35 pikëve, 1 më shumë se gjirokastritët, që bënë një hap pas.
Ndërkohë, Skënderbeu ka bërë lehtësisht detyrën ndaj lagunarëve, me një triumf të nisur të shënjestruar që në fillim, teksa kanë kaluar në avantazh me Sowe, në minutën e 2’, për të dyfishuar shifrat me Ditën në të 37’, ndërkohë që Lushnja ka ngushtuar me Sefën në të 45’.
Në të 75’ ishte James ai që ka mbyllur takimin duke sigluar shifrat përfundimtare në 3-1.
Me këtë fitore, Skënderbeu shkon në kuotën e 56 pikëve, për të ruajtur distancën në krye të klasifikimit, me plot 14 pikë ndaj Kukësit, ndjekësi më i afërt.