Java e tetë e Kategorisë Superiore, do të jetë e fundit para se skuadrat të marrin pushimet për shkak të angazhimeve të Kombëtares në Ligën e Kombeve, ndërkohë që ndryshe nga herët e tjera, do të luhet në dy ditë: të dielën dhe të hënën.
Shkak për këtë ndryshim, është bërë java e shtatë që u luajt në mesjavë dhe skuadrat do të kenë një ditë më shumë kohë për të pushuar. Kështu, të dielën do të ketë 4 përballje të cilat do të luhet në dy orare të ndryshme.
Në orën 13:45, Kamza do të presë në shtëpi kuqezinjtë e Flamurtarit, ndërkohë që në të njëjtin orar, Luftëtari pret në Gjirokastër Skënderbeun. Pak orë më vonë, në 16:45, Tirana pret Laçin, ndërsa Teuta do të presë në Durrës Kastriotin.
Java e tetë do të mbyllet të hënën, ku Kukësi dhe Partizani do të provojnë forcën ndaj njëri-tjetrit për të synuar kryesimin.
Takimi do të luhet në orën 17:45, ndërkohë që e vetmja gjë e cila duhet të qartësohet, është stadiumi se ku do të luhet takimi, pasi në “Elbasan Arena” 3 ditë më vonë luan Kombëtarja.