Kukësi nis sërish marshimin, ndërsa Kastrioti rikthehet te fitorja. Verilindorët triumfuan në Korçë kundër Skënderbeut me rezultatin 0-4, me një ndeshje që nisi me dy gola të shpejtë. Kapiteni Agim Ibraimi u shfaq rrezikshëm që në fillim, por vetëm në minutën e pestë shënoi.

Goli futi në presion Skënderbeun, që dy minuta më pas gaboi dhe Limaj realizoi edhe golin e dytë. Kukësi i qetë vijoi sulmet dhe në një moment u ndal nga shtylla. Pas rreth gjysmë ore lojë gjeti edhe golin e tretë, që praktikisht e mbylli ndeshjen.

Braziliani Matheus Leira nuk fali me një gjuajtje potente brenda zonës. Llogaritë e këtij dueli u mbyllën në fraksionin e dytë të lojës, kur Vesel Limaj shënoi edhe golin e dytë personal dhe që plotësoi “pokerin” për Kukësin.

Në Kamzë Kastrioti dhe Bylisi luftuan fort dhe fatet e këtij dueli i vendosi Klejdi Daci, me një gol spektakolar të realizuar me një lëvizje akrobatike brenda zonës. Takimi u mbyll me rezultatin 1-0 dhe në minutat e para ballshiotët kërkuan edhe një penallti. /abcnews/

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 17

E shtunë, më 30 janar, ora 13:45

Skënderbeu-Kukësi 0-4

Shënues: Ibraimi 5′, Limaj 7′, 62′, Leira 32′

Kastrioti-Bylisi 1-0

Shënues: Daci 51′