Laçi ia del të thyejë 1-0 Teutën në Kurbin. Tjetër fitore e rëndësishme për ekipin e Shpëtim Duros pas asaj të arritur javën e kaluar në kryeqytet ndaj Tiranës. Sërish Mentor Mazrekaj autori i golit, i katërti sezonal me bardhezinjtë. Sulmuesi dardan përfitoi nga një gafë e mbrojtjes durrsake në minutën e 35-të dhe nuk e pati të vështirë të shënojë.

Vendasit patën një shans të artë për të mbyllur takimin në minutën e 73-të. Ekzekutimin e mori përsipër Kyrian Nwabueze, por Stivi Frashëri ia doli të presë goditjen e bomberit të Laçit. Kurbinasit i menaxhuan mirë minutat e mbetura dhe morën tre pikët, duke barazuan Teutën dhe Partizanin përkohësisht në vend të dytë të renditjes.

NDESHJA TJETËR – Tirana vuajti, por në fund mundi të fitojë me shifrat 0-1 ndaj Apolonisë në Fier në një ndeshje, që u kushtëzua nga era e fortë gjatë gjithë 90 minutave. Pjesa e parë nisi me Tiranën shumë agresive. Bardheblutë arritën të vizitonin shumë shpesh portën e Vllaznisë dhe në dy raste goditën edhe shtyllën me Bathën në një goditje dënimi dhe Muçin pas një pasimi të Seferit në hyrje të zonës.

Më pas Apolonia e mori veten dhe u rikthye në lojë, duke u spostuar më para dhe zbritur më shumë në zonën e Tiranës, pa regjistruar ndonjë episod të rrezikshëm në portën e Bekajt dhe mbyllur pjesën e parë në barazim pa gola. Pjesa e parë u desh të nisë mbi 10 minuta me vonesë për shkak të një problemi me tribunën qendrore të stadiumit “Loni Papuçiu” për shkak të erës së fortë.

Në fraksionin e dytë Tirana u duk më shumë kërkuese dhe qëndroi me këmbëngulje në sulm, me Apoloninë, që kërkoi të befasonte vetëm me daljet e shpejta. Më pas në minutën e 76 erdhi momenti i çlirimit për Tiranën dhe Taulant Seferin.

Muçi lëvizi bukur dhe fitoi metra duke shkuar deri në zonën e Apolonisë i vetëm. Më pas talenti pasoi për Torassan, i cili ia dha direkt Seferit dhe sulmuesi goditi menjëherë, duke mposhtur portierin Harizaj dhe shënuar golin e parë me Tiranën. Në pjesën e mbetur të ndeshjes Tirana vazhdoi të shtynte, pa gjetur golin e qetësisë, por duke marrë një fitore me shumë vlera në ditën e debutimit të Orges Shehit. /abcnews/