Java e 13-të e Superligës u mbyll me takimin e sotëm mes Laçit dhe Tiranës që përfundoi në shifrat 1-0. Një raund ky i kampionatit ku duket se ndau përfundimisht ekipet që do pretendojnë titullin dhe Europën dhe ata që do luftojnë për të mos rënë nga kategoria. Por ajo që bie në sy në këto ndeshje është numri i pakët i golave.
Kështu java e 13-të e Superligës ka shënuar një rekord negativ deri më tani. Në 5 ndeshjet e luajtura nga e diela deri sot, janë shënuar vetëm 5 gola. Rezultatet kanë qenë të tilla: Kastrioti-Egnatia (1-0), Vllaznia-Skënderbeu (2-0), Partizani-Dinamo (1-0), Teuta-Kukësi (0-0) dhe Laçi-Tirana (1-0).
Pra thuajse gjysmën e golave në këtë javë i ka shënuar skuadra e Vllaznisë. Duket se kampionati po i rikthehet “sëmundjes” së vjetër të mos shënimit të golave. Patjetër që kjo ishte një javë ku kishte përballje direkte dhe takimet kanë qenë shumë të luftuara. Por tifozët gjithmonë duan gola dhe spektakël.
Gjithashtu vetëm në ndeshjen Laçi-Tirana është pëdorur sistemi VAR. Akordimi i penalltisë në favor të kurbinasve në minutën e fundit të kohës së rregullt kërkoi përdorimin e këtij sistemi. Por polemikat ndaj “xhaketave të zeza” në këtë javë kanë qenë të pakta duke treguar se ata kanë pasur të drejtë në vendimet e tyre.
Endri ÇINARI