Kampionati shqiptar tashmë ka hyrë në një nga fazat e zjarrta në këto momente ku po luftohet fort si për titullin kampion, ku momentalisht në garë ka hyrë edhe Egnatia mes treshes, Partizani, Tirana dhe Vllaznia.
Por gjithashtu një garë të ashpër ka edhe për zonën europiane apo edhe atë të rënies nga kategoria, ku ende nuk ka asgjë të qartë për asnjë ekip.
Vllaznia patjetër që llogaritë në këto momente do i bëjë minimalisht për 3 vendet e para e po ashtu për të pretenduar edhe për titullin kampion.
E duket se kalendari mund të jetë një ‘aleat’ i kuqebluve në këtë pjesë ku ka arritur sezoni. Kjo pasi shkodranët do presin në shtëpinë e tyre disa nga sfidat më delikate që mund të vendosin shumë për fatet e titullit kampion.
Duke nisur nga kjo fundjavë ku në Shkodër do vijë vizitor kryesuesi aktual i Superiores, Partizani. Një duel direkt ndaj të kuqve që janë vetëm 4 pikë sipër shkodranëve. Po ashtu deri në fund të kampionati, Vllaznia do presë në shtëpi Bylis që patjetër është një kundërshtar delikat apo edhe Erzenin që realisht ka qenë një surprizë dhe një vështirësi në vete për ekipin e Joses.
Tirana dhe Egnatia që janë dy ndër ekipet më me kualitet në këtë edicion po ashtu do jenë vizitore në Shkodër deri në fundin e kampionatit. E po ashtu duelet ndaj këtyre dy skuadrave mund të jenë shumë deçizive. Gjithashtu edhe Teuta dhe Laçi që janë skuadra shumë të forta do priten nga Vllaznia në ‘Loro Boriçi’.
E vetmja sfidë delikate që mund të kenë shkodranët ndaj ekipeve që luftojnë për kreun e tabelës mund të jetë transferta kundër Partizanit në javën e 34-të të Superiores, që ndoshta mund të jetë edhe një ‘finale’ për fitimin e titullit kampion në fundin e edicionit.
Endri ÇINARI