Në javën e dytë të Superligës ka qenë radha e Partizanit dhe e Laçit për të marrë fitoren e parë parë këtë sezon. Të kuqtë kanë fituar me Kamzën 0-1, ndërsa sfida Laçi-Luftëtari është mbyllur në rezultatin 2-1.
Pjesa e parë është më pozitive për skuadrën e Kamzës. Vendasit kontrollojnë më shumë lojën dhe Partizani ka vështirësi për të dalë në gjysmëfushën kundërshtare.
Në fundin e pjesës së parë Kamza do të kishte edhe rastin më të pastër për të shënuar, kur Plaku del përballë Alban Hoxhës nga pika e penalltisë. Por gjuajtja e Plakut është shumë e lehtë dhe ndalohet nga Hoxha që mban të paprekur portën e tij.
Në 45 minutat e dyta, loja është më e balancuar. Pas disa zëvendësimeve të teknikut Gega, Partizani rrit nivelin e lojës së tij dhe i shkon disa herë pranë golit.
Loja më sulmuese e “të kuqve jep rezuultat, teksa në 67’ do të gjente edhe rrugën e rrjetës. Do të ishte Bruno Telushi që me një gjuajtje mjeshtrore nga goditja e dënimit ka çuar shifrat në 1-0.
Pas këtij goli, Kamza mundohet të reagojë, por pa rezultat, nga ana tjetër Partizani ka disa raste për gol, por nuk ia del dot që të dyfishojë avantazhin.
Përtej dëshirës së të dyja skuadrave për të shanuar shifrat mbeten të pandryshuar deri në fund. Kështu Partizani merr fitoren e parë për këtë sezon, ndërsa Kamza pas triumfit në javën e parë mposhtet në shtëpi këtë javë.
Në stadiumin e Laçit ndeshja kishte ritëm që në minutat e para, me të dyja ekipet që kërkuan të gjejnë rrugën e rrjetës. Si Laçi ashtu edhe Luftëtari kërkojnë të shënojnë, por ai që zhbllokon shifrat është Vasil Shkurtaj për gjirokastritët në minutën e 44’.
Në pjesën e dytë Laçi hidhet në sulm në kërkim të barazimit. Kurbinasit do ta gjenin golin e barazimit në minutën e 71’ me anë të Shtubinës.
Kur u mendua se rezultati mbeti i pandryshuar, në fund Laçi do të shënonte golin e fitores me anë të Gjonit në minutën e 94′, ndërsa Luftëtari do e mbyllte ndeshjen edhe me një lojtar më pak, pas daljes me të kuq të Jackson./telesport/