Pritja ka marrë fund dhe tashmë Flamurtari e ka zyrtarisht trajnerin e tij. Pas një sezoni të shkuar mes luhatjeve të mëdha, vlonjatët ia kanë bësuar pankinën Ilir Dajës.
Ky i fundit arriti të shpallte kampion Skënderbeun në kampionatin shqiptar, të fitonte Kupën e Shqipërisë dhe të realizonte paraqitje dinjitoze me korçarët në Europë. Një eksperiencë fantastike që i ka bindur vlonjatët për të qenë Daja ai që do të vazhdojë projektin e skuadrës.
Ndërsa sa i përket trajnerit të dytë, do të jetë Ardian Mema personi që do të jetë në ndihmë të teknikut Daja.
Ish-tekniku i Skënderbeut ka bërë të qartë në ditën e sotme dhe planin e merkatos së klubit të ri, duke thënë se drejtuesit vlonjatë do të kontaktojnë vetëm me futbollistë të lirë dhe jo ata në kontratë.
“Jemi pak me vonesë, por po punojmë shumë shpejt, për të rikuperuar kohën. Natyrisht që vëmendja është përqendruar në merkato, por theksoj se do të kontaktojmë vetëm me futbollistë të lirë, jo me ata që kanë kontrata me skuadrat e tyre”, deklaroi Daja.