“Abissnet Superiore” rikthehet për të luajtur javën e 33-të me të gjitha skuadrat që zbresin në fushë ditën e sotme.
Katër duele që do të vendosin shumë për fatet e sezonit do të luhen në orën 15:00, ndërsa derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit do të luhet në orën 18:30.

Erzeni pret në “Niko Dovana” Bylisin në një finale mbijetese. Të dyja skuadrat që e nisën si një surprizë këtë sezon, tani kërkojnë me çdo kusht tre pikët për të mbijetuar.

Kastrioti do të presë Egnatian, me krutanët që do të luajnë shanset e fundit për të mbijetuar, ndërsa rrogozhinasit kërkojnë të forcojnë pozitat në vendin e tretë.

Kukësi luan sezonin në shtëpi përballë Laçit. Verilindorët vazhdojnë të jenë në garë për mbijetesë, ndërsa kurbinasit kërkojnë Europën.

Një tjetër sfidë për vendin e katërt është ajo mes Vllaznisë dhe Teutës. Të dyja skuadrat kanë pasur ulje-ngritje këtë sezon dhe tashmë kërkojnë ta shpëtojnë sezonin duke kapur Europën.

Sfida që e mbyll këtë javë është derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit në “Air Albania”. Një debi që vlen sa titulli. Të dyja skuadrat kërkojnë kreun e renditjes, teksa bardheblutë do të mjaftoheshin dhe me një barazim, ndërsa të kuqtë janë të detyruar të fitojnë.

NDESHJET:

ERZENI – BYLIS 15:00 “NIKO DOVANA”

KASTRIOTI – EGNATIA 15:00 “ELBASAN Arena”

KUKËSI – LAÇI 15:00 “KUKËS ARENA”

VLLAZNIA – TEUTA 15:00 “LORO BORIÇ”

TIRANA – PARTIZANI 18:30 “AIR ALBANIA”