Nuk ka më rrugë të mesme, Tirana ka shkarkuar trajnerin Ze Maria, shkruan sportekspres.com. Numri një i stolit nuk ka bindur askënd dhe arsyeja e shkarkimit ishte derbi i humbur me Partizanin.

Kjo disfatë i vuri kapakun, pasi në të vërtetë në këtë vendim ndikoi dhe ecuria skandaloze e bardhebluve në këtë fillim sezoni dhe problemet e teknikut me lojtarët.

Referuar të njëjtit burim, ndarja e rrugëve pritet të bëhet zyrtare nga klubi brenda pak orëve, por ka vetëm një problem. Kontrata afatgjatë e Ze Marias, e cila duhet të prishet.

Braziliani nuk pranon që të largohet pa dëmshpërblim, prandaj presidentit Refik Halili i ka mbetur sërish “dopio gjashta” në duar, pasi i duhet të gjejë zgjidhjen me 45-vjeçarin, në të kundërt i bie që të paguajë kontratën e tij deri në fund.

Largimi i Ze Marias sjell dhe një tjetër problem, pasi bashkë me të largohet dhe stafi i huaj i teknikut brazilian. Tirana mund të drejtohet në ndeshjen kundër Kastriotit nga trajneri i portierëve, Egbo.

Situata është delikate dhe duhet të marrë zgjidhje shpejt. Të shohim dhe të presim se çfarë do të ndodhë.