www.shkodrasport.com
“Supermarketi” Vllazni: 13 të huaj të stërvitje
Ka vite që nuk ndodh kështu. Në stërvitjen e djeshme të Vllaznisë në Ulqin kanë qenë plot 12 futbollistë të huaj, shto këtu edhe kroatin Vuk që do vijë sërish dhe bëhen plot 13. Një numër shumë I madh për një skuadër si Vllaznia e cila gjithmonë është quajtur djepi I futbollit shqiptar, për një skuadër që gjithmonë nxjerrë talente. Një numër jashtëzakonisht I ekzagjeruar. E fillojmë me dy portierët malazezë Vujadinoviç dhe Gjokoviç, për të vazhduar me dy malazezët e tjerë të mbrojtjes Petroviç dhe Popoviç, për të vazhduar me dy brazilianët Da Silva dhe Uashington, shqiptaro-maqedonasin Ziba, lojtari nga Andora Moreno, kroatin Vuk, dy malazezët e tjerë Brnoviç dhe Jabllan, afrikanin nga Benini Singbo dhe algjerianin Benounes. Një “konglomerat” shtetesh, racash dhe ngjyrash. Tek Vllaznia tashmë nuk dihet çfarë gjuhet flitet. Për fat, trajneri Vata njeh shumë prej këtyre gjuhëve dhe arrin të komunikojë me ta, por mes shkodranëve dhe atyre të ardhurve, ka një hendek të madh. Edhe në qëndrimin e tyre sëbashku në hotel e ambjente të tjera, llogarite pastaj sa problem ka për të qenë marrja vesh në fushën e lojës. Me të qeshur, edhe vetë drejtues të klubit shkodran, e kanë pranuar se disa prej këtyre futbollistëve kanë “ardhur me pushime” në Ulqin. Po hanë, pinë, bëjnë edhe pak stërvitje dhe kur të kthehen në shtëpitë e tyre, janë më të zbukuruar edhe në paraqitjen e tyre sepse trajtimi I mirë nuk u mungon. Me një fjalë, Vllaznia e sotme është kthyer vërtetë në një “supermarket” ku I gjithë malli është për t’u blerë, por cilësia e tij lë shumë për të dëshiruar.