Data 18 mars do të mbahet mend përgjithmonë nga djaloshi shqiptar Meritan Shabani, sepse të dielën u grumbullua për herë të parë në karrierën e vet me ekipin e parë të Bajernit të Mynihut, edhe pse nuk u aktivizua në humbjen 2-1 në Lajpcig.
Vetëm 19 vjeç, mesfushori me tipare sulmuese nga Kosova është pjesë e Bajernit prej vitit 2015, duke shkëlqyer me të rinjtë e klubit bavarez, ku këtë sezon ka shënuar 6 gola e ka dhënë 5 asiste në 13 ndeshje, ndërkohë që ka shënuar edhe një gol në 6 ndeshje në UEFA Youth League.
Shabani është i pari futbollist i vitlindjes 1999 që bëhet pjesë e ekipit të parë te Bajerni. Më parë e kanë bërë kapërcimin nga të rinjtë te ekipi i parë edhe emra si Timoti Tillman, Frank Evina, Manuel Vinchajmer, Oliver Batista Majer dhe Adrian Fajn.
Një talent i rrallë, që u bashkua me Bajernin që në miqësoret e verës së shkuar, Shabani nuk ka luajtur ende për asnjë kombëtare, por me shumë gjasa do të përfaqësojë Kosovën, edhe pse është në xhiron e Gjermanisë U-18./sportekspres/