Skuadra e PSG prej kohësh ka hedhur grepat te mesfushori portugez Bernardo Silva, që këtë sezon fitoi “tripletën” me Manchester City. Lojtari ka një kontratë deri në vitin 2025 me kampionët e Europës, por kjo nuk pengon kampionët francezë që të bëjnë një ofertë.
Kostoja e lojtarit është rreth 80 milionë euro dhe për të zbutur këtë shifër, skuadra e PSG kërkon të fusë në marrëveshje mesfushorin italian Marco Verratti (ka kontratë deri në vitin 2026 me francezët). Pra, PSG ofron një shkëmbim mesfushorësh, natyrisht duke paguar edhe rreth 30 milionë euro, pasi vlera e kartonit të italianit është rreth 50 milionë euro.
Sipas “L’Equipe”, oferta i është dërguar klubit anglez, që ende nuk ka vendosur nëse do të lirë Bernardo Silva apo jo. Skuadra e PSG është gati t’i ofrojë portugezit një rrogë më të mirë se ajo që merr aktualisht me City, për ta joshur.
Nga ana tjetër, vështirë se City do të pranojë këtë marrëveshje, pasi është gati ta shesë Silva vetëm në rast se PSG paguan totalisht kartonin e lojtarit, pa përfshirë futbollist tjetër në bisedime. Ndërkohë që francezët duan të “heqin qafe” Verratti, që nuk pëlqehet më nga tifozët./telesport/