Nga Maringlen ZHIVANI
Pas Bekim Balajt, edhe Odise Roshi ka vendosur për t’u tërhequr nga Kombëtarja e Shqipërisë, pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme me ngjyrat kuqezi. Roshi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Kombëtaren, duke dhënë gjithmonë maksimumin e tij në arritjet historike të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Gjatë karrierës së tij me kuqezinjtë, Roshi i njohur edhe me nofkën “Raketa” nga tifozët, numëron 71-ndeshje dhe pesë gola, teksa ishte pjesë e skuadrës në kualifikimin historik në “Euro 2016” dhe pjesë e saj në finalet e Europianit. 33-vjeçari, i cili aktualisht luan me Erzurumspor në Kategorinë e Dytë turke, ka debutuar më 7-tetor të vitit 2011 me Kombëtaren.
Ndërkohë që, ndeshja e tij e fundit ku ai është aktivizuar, ka qenë miqësorja me Italinë në stadiumin “Air Albania”, që përkon edhe me ndeshjen e fundit të Kombëtares nën drejtimin e trajnerit italian Edoardo Reja. Me brazilianin Sylvinho, mesfushori kuqezi është grumbulluar vetëm një herë, në ndeshjen e fundit ndaj Polonisë në eleminatoret e Kampionatit Europian, ku kuqezinjtë fituan me shifrat 2-0, por që Roshi nuk pati asnjë minutë në atë takim.
Ky vendim i tij vjen menjëherë pas atij të Bekim Balaj, që përveç shokë skuadre, të dy janë dhe miq shumë të ngushtë jashtë futbollit. Për të dy këta futbollistë do të ketë një ceremoni përmbyllëse të karrierës në ndeshjen e rradhës më 16-nëntor në stadiumin “Arena Kombëtare”, ku Shqipëria do të luajë përballë Republikës Çeke, ndeshjen e parafundit të grupit në kuadër të Nations League./www.shkodrasport.com/