Futbolli argjentinas mund të shohë të kthehet si protagonist një nga emrat më të shquar në historinë e tij. Gabriel Omar Batistuta është në bisedime për të marrë drejtimin e Boka Juniors, edhe pse më parë nuk ka drejtuar në asnjë klub tjetër gjatë karrierës së tij.

Gjithçka ka lidhje me zgjedhjet në klub, pasi një prej kandidatëve për të marrë drejtimin e klubit, ka premtuar se do të vendosë ish-sulmuesin e Argjentinës në pankinë nëse zgjidhet.

Pojko Ferrari, një nga kandidatët kryesorë në zgjedhjet për të marrë presidencën e Boka Juniors, ka deklaruar se firma me të është gati nëse fiton në zgjedhje.

“Të premten kemi biseduar me Batistutën dhe menaxherin e tij, ai është entuziast për këtë mundësi që shfaqet dhe firma e tij e mundshme në kontratë është në fazë të avancuar”, theksoi Ferrari.

50-vjeçari Batistuta ka qëndruar larg futbollit në vitet e fundit, por duket se është gati të hyjë përsëri si protagonist kryesor, edhe pse mes tifozëve ka pasur pak skepticizëm duke llogaritur që nuk ka drejtuar asnjëherë si trajner më parë. /vipsport/