Një nga çështjet më të diskutueshmë ditët e fundit është e ardhmja e Sylvinhos. Braziliani pas përfundimit të Euro 2024 zbarkoi në Tiranë, saktësisht më 25 qershor, ndërsa u largua pas dy ditësh.
Çështja e rinovimit të tij vazhdon të jetë në qendër të vëmendjen dhe diçka e tillë mban tifozët në “ankth”. Por sot Kombëtarja është zyrtarisht pa trajner. Kjo pasi pikërisht ditën e sotme ka përfunduar kontrata e 50-vjeçarit me kuqezinjtë.
Sylvinho aktualisht është me pushime me familjen në Porto, ndërsa nga ana tjetër Armando Duka vazhdon të jetë në Gjermani për të ndjekur ndeshjet e mbetura në Euro 2024. Vazhdimisht kreu i FSHF-së nëpër daljet e tij ka nënvizuar se mes palëve ka një akord për rinovimin, por deri më tani ende nuk ka asgjë.
Duke nisur nga janari braziliani ka patur në tavolinë kontratën e re 2-vjeçare, por në të gjitha rastet ka shtyrë rinovimin. Sipas brazilianit në atë periudhë ishte më e rëndësishme përgatitja e ekipit për në Euro 2024 se sa e ardhmja e tij.
Tashmë të gjithë jemi “sy e veshë” nga FSHF-ja për të mësuar se cila do të jetë e ardhmja e brazilianit. Ky i fundit tashmë është pa kontratë. Gjithsesi kjo javë pritet të jetë vendimtare për Kombëtaren shqiptare.
Kujtojmë se 50-vjeçari firmosi me Shqipërinë 9 janar të 2023 një kontratë për 1 vit e gjysmë nga e cila përfitoi një pagë 1.1 milionë euro në vit bashkë me dy ndihmësit Pablo Zabaleta dhe braziliani tjetër Doriva.