Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, e ka ndjeur nga tribuna ndeshjen e parë   çerekfinale të Champions-it mes Barcelonës dhe Dortmundit e fituar 4-0 nga ‘blaugranat’.

Braziliani u fokusua në një moment nga kamerat, pasi ishte akomoduar pranë Dani Olmos apo porterit Ter Stegen, që nuk ishin të disponueshëm për këtë ndeshje.

Sylvinho e ka shfrytëzuar vizitën në Barcelonë për t’u takuar me krerët e klubit, si presidentin Laporta dhe drejtorin Deco, me të cilët ka shkrepur edhe disa foto.

Sylvinho ka bërë një postim në Instagram, ku ndan këtë moment me ndjekësit e tij:

“Është gjithmonë kënaqësi e veçantë të kthehem në Barcelona. Sot pata mundësinë të shihja sërish miq të shkëlqyer dhe të shikoja fitoren 4-0 të Barcelonës ndaj Borussias së Dortmundit në Ligën e Kampionëve.”