Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho premton surpriza në listën e emrave që do të publikojë për eleminatoret Euro 2024. Në një intervistë për RTSH, tekniku brazilian i kuqezinjve ndalet fillimisht te risitë duke e pranuar se një lojtar i Partizanit ka tërhequr vëmendjen e tij.
“Po, do të ketë emra të rinj, ndoshta dy apo tre Prej dy muajsh këtu kam parë ndonjë ndeshje dhe mund të them që lojtarë të mirë ka gjithandej, por nuk dua të përmend emra. Është një lojtar te Partizani i cili më pëlqen shumë, e kam ndjekur disa herë dhe them se teknikisht mund të zhvillohet edhe më shumë. Gjithmonë ka lojtarë dhe ne duhet t’i shohim, ndaj vendosa që të jetoj këtu”.
Sipas Sylvinho-s është shumë e rëndësishme që skuadra të luajë me shpirt dhe çdo gjë është e mundur që në transfertën e Polonisë pasi ndeshja e 27 shkurtit është një histori e re dhe nuk ka lidhje me sfidat e dy viteve të shkuara. Në vijim, Sylvinho ndalet edhe te çështja e dëmtimeve.
“Për fat të keq në futboll ndodh edhe dëmtimi, është një moment i vështirë për futbollistët. Kur nisa punën rreth dy muaj më parë, mendova të bëj një rrugëtim të gjatë për të takuar lojtarë të shpërndarë në Europë, të tjerë i kam kontaktuar në telefon.
Mendoja se në 2-3 raste duhet të shkoja e takoja e të flisja nga afër me ta, sepse doja t’u tregoja rëndësinë që kanë për ne, edhe pse nuk do të jenë në listë. Dëshiroja ti përqafoja se personalisht e di shumë mirë që një lojtar që qëndron 2-3 muaj jashtë, e ka shumë të vështirë. Takova Brojën dhe i thashë se ka gjithë mbështetjen tonë edhe pse nuk është pjesë e listës. Shkova edhe në Portugali për të bërë të njëjtën gjë me Ardian Bajramin”.
Numri 1 i stolit kuqezi foli edhe pë jetën në Tiranë duke vënë theksin në bujarinë dhe dashurinë e njerëzve ndërsa shtoi se ushqimi është një nga gjërat që i ka bërë më shumë përshtypje.
“Unë ha gjithçka, por mishi, mishi shqiptar është shumë i mirë. Unë mendoja se argjentinasit kishin mishin më të mire, madje ndihmësit tim Zabaleta i thashë: shiko, mishi argjentinas është shumë i mirë, por ai shqiptar edhe më i mirë dhe ai qeshi. Edhe peshku është super këtu në Shqipëri, ndërsa makaronat mendoj se i gatuani mirë sepse jeni shumë pranë Italisë dhe kur shikoj që këtu shumë njerëz flasin italisht, mendoj se influenca është e madhe dhe ka ndoshta një lidhje të afërt me italianët edhe në gatim.
“Shqipëria është ndoshta një vend i çuditshëm në këtë moment të rrugëtimit të karrierës time. Unë jam një djalë, le të themi një burrë tashmë sepse jam në kufirin e 50 viteve. Në moshën 16 vjeçare jetoja në San Paolo ku edhe kam lindur dhe mendoja se duhej të provoja diçka të re e më pas Zoti më dha mundësinë të shëtis nëpër botë. E kam nisur në Angli e më pas në Spanjë e sërish në Angli, Itali, Francë, Brazil dhe tani jam në Tiranë.
Jam një brazilian disi atipik. Njerëzit më pyesin: a je 100 % brazilian? Unë u them: Jo, kam lindur në Brazil por kam edhe pasaportë sanjolle e kam jetuar në Itali dhe Angli. Kam marrë pak nga gjithçka dhe më pëlqen kjo që po bëj në futboll. Dua të zhvilloj idetë e mija dhe konceptin që kam për këtë lojë. kam kaluar shumë eksperienca në jetën profesionale me emra të mëdhenj si Ëenger, Guardiola dhe më pas me Mancinin apo Titen në kombëtaren e Brazilit në Rusi 2018. Këto eksperienca më kanë ndihmuar shumë. Shqiptarët luajnë shumë mirë futboll, kanë aftësi të mëdha teknike. Unë kam punuar me Rey Manaj në vitin 2014 te Interi dhe mbaj mend që ai ishte shumë i ri dhe më bëri përshtypje. Kemi lojtarë shumë të mirë, me cilësi të mëdha.
“Shpirti i një skuadre kombëtare është shumë i ndryshëm nga ai i një klubi. Ashtu siç e thashë edhe më lart, unë kam pasur mundësinë të punoj si zv/trajner për Brazilin në një botëror, asnjëherë si lojtar për fat të keq. Kombëtarja është e njerëzve dhe mendoj se mbi çdo gjë duhet të vendosim zemrën, shpirtin dhe dhe më pas vjen gjithçka tjetër, organizimi, pjesa teknike e taktike.
Është logjike që të ketë një diferencë të madhe me klubet sepse në një klub shkon dhe luan e paguhesh, por në kombëtrare duhet të dominojë një frymë tjetër sepse lojtarët luajnë për njerëzit, familjen dhe fanellën. Është pikërisht fanella që ka një domethënie të ndryshme prandaj edhe unë kam vendosur të jetoj këtu në Tiranë, të takoj njerëzit, të kuptoj mentalitetin e tyre sepse lidhja shpirtërore duhet të jetë e shenjtë për një kombëtare.
Gjithmonë është e vështirë. E vështirë është ta nisësh punën fillimisht sepse unë kam udhëtuar shumë, kam takuar lojtarë, kam parë video, ndeshje jashtë dhe këtu në Shqipëri. Më pas nis një tjetër fazë sepse në mars do të zhvillojmë seancat e para dhe i ndjek nga afër lojtarët, i studion, mendon se si mund të punosh me ta që të përmirësohen dhe kjo është pjesa më e rëndësishme.
Sipas meje një miqësore edhe mund të na ndihmonte por edhe jo ndonjjëherë sepse nuk është e lehtë të menaxhosh një miqësore përpara në ndeshjeje zyrtare si ajo që do të kemi me Poloninë. Ndoshta nuk e shikon lojtarin se si sillet në një miqësore por nuk ka problem sepse ke përpara gjithë javën për ta stërvitur dhe të bëshk një punë të mire”.