Në Shkodër dinë sesi t’i japin rëndësi sportit dhe jo vetëm futbollit. Këtë edicion, sporti në kryeqendrën e veriut ka pasur një ecuri të mirë. Nga Vllaznia e futbollit deri te djemtë e koshit, kanë ngritur adrenalinën në një qytet që e ka sportin në ADN.
Ekipi i djemve në basketboll është duke kaluar një periudhë të mirë, teksa në tre javët e para të kampionatit ka siguruar po aq fitore, duke kryesuar tabelën e klasifikimit me gjashtë pikë.
Kjo ecuri fantastike ka bërë që përkrahja të jetë e madhe në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, aqsa shkallët të duken të pamjaftueshme për tifozerinë.
Së fundmi, shkodranët kanë prezantuar zyrtarisht edhe ekipin që do t’i përfaqësojë këtë edicion në Superligën e meshkujve. Në ekip bien në sy emra si Ulqinaku, Shestani, Lekndreaj, Bekteshi etj, pa harruar këtu edhe lojtarët e huaj që i kanë dhënë një dorë ekipit.
Kujtojmë se nesër në orën 18:00 shkodranët do të përballen në ligën Ballkanike si pritës me Ibar Rozaje, duke synuar vetëm fitoren.