“Nata e boksit” po afron dhe sigurisht që “ethet” e saj i kanë zënë prej ditësh pjestarët e këtij spektakli që do të ofrojë mbrëmja e 8 shkurtit në sallën sportive “Feti Borova” të kryeqyytetit.
Një nga boksierët që do të ngjitet në ring është edhe shkodrani Syrjan Marinaj. Ai do të ketë përballë kroatin Matej Uremoviç. Duke folur në lidhje me këtë ndeshje, boksieri i Vllaznisë do të shprehej:
“Jam duke e pritur me shumë emocion këtë ndeshje ngaqë do të jetë edhe një mbrëmje festive dhe padyshim që objektivi është të fitoj dhe të gëzoj bashkë me sportdashësit e shumë që do të jenë të pranishëm në sallë.
Nuk kam shumë informacion në lidhje me kundërshtarin megjithatë unë do të bëj boksin tim. Jam përgatitur intensivisht gjatë kësaj periudhe dhe shpresoj t’ia dal me sukses”.
Viti i fundit në fakt nuk ka qenë shumë i ngjeshur me aktivitete për Marinajn dhe mbase ky është problemi i vetëm i tij. Këtë gjë e pranon edhe vetë kur shton:
“Unë ka një vit që nuk bëj boks në Shqipëri. Siç e dini kam qenë për njëfarë periudhe në Gjermani ku kam bërë vetëm një ndeshje në muajin qershor dhe kaq.
Ky mund të jetë një problem sepse siç dihet për një boksier ka rëndësi shumë numri i ndeshjeve që zhvillon.Megjithatë do të mundohem ta kompesoj me stërvitjen e bërë dhe dëshirën për të dalë me sukses nga kjo sfidë”.
© shkodrasport.com