Shkëputja disamujore prej sportit të boksit padyshim që ka patur pasojat e veta megjithatë Syrjan Marinaj ka vendosur të rikthehet fuqishëm në ring.
Fitorja në “natën e boksit” përballë një kundërshtari moldav Artur Cudhin, e ka nxituar edhe më shumë atë.
Duke folur per “Shkodra Sport” në lidhje me këtë takim, 21 vjeçari shkodran shprehet:
“Kundërshtari ka patur më shumë përvojë, ka qenë edhe më i madh në peshë dhe kjo padyshim që nuk më bënte favorit për ta fituar ndeshjen megjithatë u ngjita në ring me një objektiv të qartë për të fituar.
Ishin emocione të mëdha për mua. Skena, ringu dhe atmosfera e krijuar në pallatin e sportit, më motivuan për të fituar me çdo kusht dhe me këtë dëshirë hyra në ndeshje.
Ajo nuk shkoi deri në fund sepse u ndërpre për shkak të një çarje që pësoi kundërshtari dhe sipas rregullave, ndeshja nuk mund të vazhdonte.
Gjyqtaria mblodhi pikët e grumbulluara deri në atë moment dhe duke qenë se unë kisha marrë më shumë pikë, u shpalla fitues.
Për mua, ka qenë një kënaqësi e madhe kjo gjë”. Ndërkohë, Marinaj po stërvitet sistematikisht dy herë në ditë sepse tashmë ka objektiva të tjera për të arritur.
“Në muajin mars do të zhvillohet Kampionati Europian për 23 vjeçarët dhe unë do jem pjesmarrës.
Po stërvitem fort në mënyrë që të arrij rezultate sa më të larta në këtë aktivitet. Pas Europianit janë edhe shumë aktivitete të tjera ku synoj të tregoj aftësitë e mia”- deklaron në fund të prononcimit të tij boksieri i Vllaznisë Syrjan Marinaj.
© shkodrasport.com