Pritja merr fund sot në mbrëmje: në Paris revista prestigjioze France Football do të japë Ballon d’Or 2018, Topin e Artë që ëndërron çdo futbollist dhe që në dekadën e fundit ka pasur vetëm 2 pronarë, Lionel Messi e Cristiano Ronaldo.
Bëhet fjalë për një prej objekteve më të çmuara në botën e futbollit, sepse Topi i Artë është kthyer tashmë në vlerësimin maksimal për çdo futbollist në aspektin individual. Pas 10 vitesh ku Messi e Ronaldo e kanë fituar nga 5 herë çmimin, sot do të ndryshojë gjithçka.
Çmimi, i krijuar në vitin 1956 nga revista franceze (Stanley Matthews ishte fituesi i parë), u shkri në vitin 2010 me FIFA World Player, marrëveshje që zgjati deri në 2015. Fillimisht Topi i Artë jepej vetëm për futbollistët europianë, ndërsa me kalimin e viteve rregullorja pësoi ndryshime dhe tashmë mund ta fitojë çdo futbollist, por me kushtin që të luajë në një klub europian.
Sot në mbrëmje jepet edhe Topi i Artë për femra, si dhe trofeu Kopa, për lojtarin më të mirë Under21.
FAVORITËT
Epoka Messi-Ronaldo merr fund sot dhe favoriti i madh për ta fituar çmimin është Luka Modric, i cili ka fituar Champions League këtë vit dhe shkëlqeu me Kroacinë në Kupën e Botës. Natyrisht, është një vit i çuditshëm, sepse asnjë futbollist nuk ka pasur një ecuri perfekte dhe ndoshta ka qenë votimi më i ndërlikuar prej shumë vitesh, edhe për faktin se sa vjen e shtohet presioni që çmimin ta fitojë dikush tjetër, pas 10 vitesh me dy aktorë.
Modric fitoi Topin e Artë të Botërorit, si dhe u nderua me çmimin FIFA Best Men’s Player në një ceremoni në Londër në shtator, duke lënë pas Ronaldo dhe Salah, ndaj zgjedhja e tij për Topin e Artë duket logjike.
Franca, triumfuese në Botëror, ka Antoine Griezmann, Raphael Varane e Kylian Mbappe në listën e kandidatëve, të kuotuar menjëherë pas Modric, por askush prej tyre nuk ishte mbi të tjerët te Franca, që ndoshta e meriton si ekip Topin e Artë.
Futbollisti i fundit që e fitoi çmimin para Messi e Ronaldo ishte braziliani Kaka, triumfues me Milanin në vitin 2007.
Topi i artë, tiparet, çmimi dhe pesha
Topi i artë ka karakteristika të përcaktuara shumë qartë: 31 cm i lartë, 23 i gjerë dhe 23 i gjatë, si dhe peshon 7.2 kg. Vlera financiare është vendosur diku te 3.000 eurot. Edhe pse quhet ‘i artë’, realisht topi përpunohet dhe mbushet me një substancë të ngjashme me dyllin, ndërsa vetëm në fund lahet në ar, pasi i është vendosur edhe logoja e France Football, ndërsa në fund vendoset edhe emri i fituesit të trofeut.
Fituesit në të shkuarën
Ronaldo e Messi janë mbretërit e Topit të Artë, me nga 5 triumfe. Michel Platini, Johan Cruyff e Marco van Basten e kanë fituar çmimin nga 3 herë, duke qenë legjendat e këtij çmimi deri sa nisi epoka Ronaldo-Messi.
Barcelona ka më shumë çmime Ballon d’Or, 11 të tillë, një më shumë se Real Madridi. Futbollistët nga Juventusi dhe Milani e kanë fituar trofeun nga 8 herë./telesport/
Lista e kandidatëve
Sergio Aguero (Man City)
Gareth Bale (Real Madrid)
Alisson Becker (Liverpool)
Karim Benzema (Real Madrid)
Edinson Cavani (PSG)
Thibaut Courtois (Real Madrid)
Cristiano Ronaldo (Juventus)
Kevin De Bruyne (Man City)
Roberto Firmino (Liverpool)
Diego Godin (Atletico Madrid)
Antoine Griezmann (Atletico Madrid)
Eden Hazard (Chelsea)
Isco (Real Madrid)
Harry Kane (Tottenham)
N’Golo Kante (Chelsea)
Hugo Lloris (Tottenham)
Mario Mandzukic (Juventus)
Sadio Mane (Liverpool)
Marcelo (Real Madrid)
Kylian Mbappe (PSG)
Lionel Messi (Barcelona)
Luka Modric (Real Madrid)
Neymar (PSG)
Jan Oblak (Atletico Madrid)
Paul Pogba (Manchester United)
Ivan Rakitic (Barcelona)
Sergio Ramos (Real Madrid)
Mohamed Salah (Liverpool)
Luis Suarez (Barcelona)
Raphael Varane (Real Madrid)