Luftëtari mund të quhet i kompletuar në prag të ndeshjes së parë me Ventspils, që do të luhet më 12 korrik në Letoni. Afati i fundit që UEFA ka vendosur për federimet e futbollistëve sa u përket ndeshjeve të turit të parë të Ligës së Europës është data 6 korrik.
Megjithatë, klubi gjirokastrit i ka paraprirë gjithçkaje, duke dorëzuar dokumentacionin prej ditësh. E vetmja dilemë që pritet të zgjidhet në orët e ardhshme është ajo e fantazistit shkodran, Erjon Vucaj.
Duke qenë se klubi i Vllaznisë ka një ngërç administrativ për momentin, lojtari nuk e ka marrë ende lejen e kalimit për t’i hapur rrugën federimit me Luftëtarin.
Gjithsesi, në klub janë optimistë se këto dy ditë do të zgjidhet gjithçka dhe Vucaj do të jetë gati për trajnerin Kostiç. Deri më tani gjirokastritët kanë afruar lojtarë si Hrvoje Bukovski, Nemanja Janiçiç, Vladan Milosavljev, Romario Cekaj, Erjon Vucaj, Maldin Ymeraj, Aldrit Oshafi, Eraldo Hyseni, Donaldo Açka dhe Mario Gurma.
Afrimi i këtij të fundit ishte befasia më e madhe, për më tepër që bëhet fjalë për një sulmues 36- vjeçar.Gjithsesi, sarandjoti përtej moshës shihet si një element që mund të ndihmojë shumë Luftëtarin me eksperiencën që ka. Gurma mësohet se ka një gjendje të mirë fizike dhe do të federohet për të qenë gati me Luftëtarin, duke filluar nga ndeshja e parë me Ventspils.
Sulmuesi që ka luajtur për shumë skuadra në Greqi dhe Itali është i biri i ish-mbrojtësit të famshëm të Kombëtares dhe Luftëtarit, Milto Gurma.
Ky i fundit, i kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, tregoi se i biri ka për t’i ndihmuar shumë gjirokastritët. “Edhe vetë u befasova kur mësova se djali kishte luajtur dhe kishte shënuar në miqësore.
Ndihem mirë si prind dhe si ish-futbollist i Luftëtarit. Do të isha i lumtur nëse Mario do të vishte fanellën e Luftëtarit, për të cilin ende kam nostalgji, pavarësisht viteve që kanë kaluar”, ka thënë Gurma.
Miqësorja – Luftëtari do të luajë sot miqësoren e fundit në tokën sllovene, aty ku është grumbulluar që prej 23 qershorit. Kundërshtari i radhës është klubi i Superligës, NK Krsko, që sezonin e fundit e mbylli në vendin e shtatë të kampionatit slloven. Takimi do të luhet në orën 17:00 në Krsko. Bluzinjtë vijnë pas tri fitoreve radhazi.