Alban Tafaj, ish-lojtari i Partizanit dhe Tiranës në Kategorinë Superiore ka komentuar sezonin aktual, por edhe ndërprerjen e kampionatit për shkak të kushteve atmosferike. Aktualisht, Tafaj është pjesë e FSHF-së në rolin e delegatit në një intervistë për “Rubrika Sportive” në Radio Tirana, është shprehur se Tirana gaboi me merkaton e verës, ndërsa Partizani ka bërë hap cilësor me afrimet në janar.

“Ndërprerja e kampionatit ishte e detyruar për shkak të kushteve atmosferike. Për futbollistët kjo është një gjë e mirë, sepse kjo ngarkesë në mesjavë do të peshonte shumë në këmbët e tyre. Të gjitha skuadrat kanë luajtur në terrene të vështira, që detyrimisht ndikon dhe në aspektin fizik të të gjithë futbollistëve. Kuptohet që komponentët e futbollit, si teknin edhe fizik, duhet të shkojnë paralel me njëri tjetrin. Aspekti fizik ka rënë shumë te skuadrat tona, ndikuar dhe nga terreni”.

“Ecuria e Vllaznisë? Kuqeblutë nuk e kanë nisur si kampione, sepse vjet diskutonte qëndrimin në kategori. Tani ka krijuar një grup të këndshëm, me besim te njëri tjetri. Në fillim edhe kundërshtarët nuk e kanë besuar se kjo Vllazni do të ecte kaq shumë, por tani kanë një sjellje komplet ndryshe, sepse e dinë që kanë përballë një skuadër që kryeson kampionatin. Nuk mendoj se ka patur një shkëlqim të jashtëzakonshëm, por ka patur rezultatin, grupin, pikët dhe ka shpërndarë golin, pothuajse te të gjithë lojtarët”.

“Për mendimin tim, skuadra që ka bërë një hap cilësor në janar është Partizani. Afrimet që ka bërë i ka mjaft cilësore, por nuk duhet të harrojmë dhe skuadrën e Laçit, që është një skuadër fushe, shumë e fortë. Një skuadër tjetër që e shikoj si një rivale të Vllaznisë është Teuta.

Ka një skuadër të mirë, por ka një problem, nuk po arrin të shprehet plotësisht.Mendoj se mendon më shumë për mbrojtjen se sa për alternativën sulmuese. Gjithsesi, nuk mendoj se ka një mentalitet për tu shpallur kampion, mund të shkojë deri në kupat e Europës”.

“Tirana? Të gjithë besoj se kanë dëshirë të shikojnë atë skuadër që u shhfaq vjet. Pas janarit, kur mbërritën dhe ato fitoret, ndodhën dhe ndryshimet, që nuk ishin për mirë. Oshilacionet nuk i bëjnë mirë një skuadre që pretendon të ruajë titullin. Zgjedhjet e bëra, në merkaton e verës, jo të janarit, nuk ishin të duhurat”, u shpreh Tafaj.