Dy futbollistët shkodranë që luajnë për Lirinë e Prizrenit, Alsid Tafili dhe Adi Mehja janë shndërruar në protagonistët kryesorë të kësaj skuadre në ndeshjet e fundit të kampionatit kosovar. Në ndeshjen e para 4 ditëve, kundër Dritës së Gjilanit të luajtur në transfertë, Tafili shënoi dy gola dhe Mehja një tjetër në fitoren 4-3 të prizrenasve. Ndërkohë sot është luajtur ndeshja shumë e rëndësishme në Prizren ndaj ekipit pretendent për titullin kampion Trepça ’89 ku luajnë dy ish-lojtarët e Vllaznisë Nallbani e Kukaj dhe Liria ka fituar sërish duke patur protagonistë dy shkodranët.
Tafili ka shënuar golin e parë të ndeshjes ndërsa Mehja të tretin që vulosi edhe fitoren 3-2 të kësaj skuadre. Me këtë fitore, Liria është ngjitur në kuotën e 41 pikëve duke mbajtur vendin e tetë në renditje dhe duke i shpëtuar play out-it. Merita natyrisht që shkon mbi të gjitha për Alsid Tafilin i cili u bashkua me këtë skuadër në muajin shkurt dhe që atëherë ka shënuar plot 10 gola për të e po ashtu një meritë ka edhe shkodrani tjetër Mehja.
Gjergj KOLA