Nesër do të mbajë shiritin e kapitenit të Vllaznisë dhe për këtë arsye, kjo është një përgjegjësi më shumë për të. Alsid Tafili ka folur shkurt sot në konferencën e shtypit të pragndeshjes duke dhënë edhe mesazhin e shumëpritur, atë të fitores ditën e nesërme. “është një përgjegjësi e madhe për të gjithë ne. Në fakt, përgjegjësi kanë të gjithë takimet e jo vetëm ky takim. Duke qenë një nga lojtarët më të vjetër të ekipit dhe kapiten në këtë përballje shpresoj të jap më të mirën time që të përkrah edhe shokët e ekipit.

Gjithëkush që mund të jetë në fushën e lojës në këtë përballje do të mundohet që të tregoj maksimumin e tij. Jemi të gjithë shkodranë, e ndjejmë këtë fanelë dhe për këtë jemi munduar që ta përgatisim këtë takim ashtu si duhet. Ne luajmë në shtëpinë tonë, kemi dy rezultate në favor, kemi tifozët dhe nga ana tjetër Tiranën se kemi frikë. Presioni është më tepër nga ato sesa nga ne”- ka thënë mesfushori i kuqebluve. Ndërkohë i pyetur në lidhje me formën e tij sportive dhe nëse do kishte dëshirë që të ishte ai shënuesi i golit të fitores në këtë ndeshje, 30 vjeçari do të shprehej: “Mendoj se jam në formën e duhur. Shpresoj se nesër, të jem edhe më mirë. Nuk ka rëndësi se kush shënon, e rëndësishme është që topi të kalojë vijën fatale të portës kundërshtare në mënyrë që të gjithë të gëzojmë. Ekipi këto ditë më shumë ka punuar të aspektin psikogjik, pasi nuk është dashur që të punojnë fizikisht. Ne duhet që të jemi të përgatitur në aspektin psikologjik për këtë takim. T’i japim rëndësinë ndeshjes pasi e dimë që do të vijnë edhe familjarët tanë dhe ata duhet të jenë krenar dhe të dalim me kokën lart nga fusha. Tifozët duhet të na mbështesin. Ato do të dinë  ta bëjnë mirë punën e tyre. Ne nuk I druhemi mungesave pasi çdo lojtarë do të japë maksimumin në këtë ndeshje”- ka deklaruar Tafili.

© shkodrasport.com