Ish-mesfushori shkodran, Alsid Tafili, aktualisht trajner dhe menaxher futbolli në një intervistë për “Panorama Sport”, vlerëson atë që është bërë deri më tani te Vllaznia, pavarësisht rezultateve të takimeve të fundit.
Sipas tij, përballjet e “Final 4”, do të paraqesin një fytyrë tjetër të skuadrave. Ndërsa për sa i përket takimit të parë gjysmëfinal të Kupës mes Egnatias dhe Vllaznisë, ai pret që të dyja skuadrat të jenë të kujdesshme. Sipas Tafilit, e mira do të ishte që Vllaznia të ketë fokusin vetëm te një nga trofetë.
“Pavarësisht rezultateve të fundit, duhet thënë se deri tani Vllaznia po bën mirë punën e vet dhe po ruan vendin e dytë. Jo vetëm kaq, por po mundohet të jetë afër vendit të parë. Duke parë që jemi futur në një fazë që ekipet i kanë jetike pikët, përballjet janë dhe do të jenë përherë e më të forta.
Jam i sigurt që Vllaznia do të jetë mes më të mirave të këtij sezoni. “Final 4” për tifozët do të jetë emocionuese, ama për klubin, që është në vendin e parë apo në vendet e para përgjatë gjithë sezonit do të jenë ndeshje të sikletshme. I gjithë sezoni luhet në dy ndeshje. Momentalisht ekipet nuk kanë diferenca, plus që në takimet e “Final 4”, skuadrat do të shfaqen krejt ndryshe, më agresive. Ndeshjet do të jenë tepër të luftuara, ku vetëm aty nuk do të ketë më parashikime.
Sfida e Kupes Egnatia-Vllaznia? Pres një përballje, që sipas meje, të dyja skuadrat do të tentojnë me tepër që të ruhen. Vllaznia do të përdore më shumë fazën defensive dhe do të kërkojë më shumë të rrezikojë përmes kundërsulmeve. Të dyja, sidomos Vllaznia, do të kërkojnë të mos rrezikojnë. Pres që gjithçka të jetë e hapur për në takimin e dytë.
Me këtë entuziazëm mendoj që ekipi do të kërkojë të shkojë deri në finale. Por unë do të thosha që e mira është që ekipi të fokusohet te njëri prej trofeve. Për më shumë, edhe organika e skuadrës nuk mendoj që e ndihmon të jetë në luftë për dy trofetë”- eshte shprehur Alsid Tafili.