Futbolli ka lindur në Shkodër në fillimin e shekullit të kaluar dhe ky qytet përveç futbollistëve dhe trajnerëve të
shquar ka nxjerrë nga rradhët e tij edhe arbitra shumë të mirë. Sot do të kujtojmë njërin prej tyre, pikërisht ngaqë edhe sot ka ditëlindjen e tij. Bëhet fjalë për të mirënjohurin Tahir Kalaci i cili nëse do të ishte gjallë, do të festonte 83 vjetorin e lindjes.

I lindur në Shkodër më 27 mars të vitit 1937, Kalaci do të angazhohej shumë shpejt me arbitrimin me të cilin do të
vazhdonte një jetë të tërë. E nisi arbitrimin në vitin 1962 dhe e mbylli me të në vitin 1987 duke qenë një nga arbitrat më të suksesshëm në futbollin shqiptar.

Pas lënies së bilbilit, ai ka drejtuar për shumë vite me rradhë kolegjiumin e Shkodrës duke e ngritur atë në nivele
të larta, ndërkohë që ka qenë edhe anëtar i kryesisë së FSHF-së. Kalaci është ndarë nga jeta më 18 shator 2017.

“Tahir Kalaci ka qenë një nga arbitrat më të mirë të historisë së Shkodrës dhe të Shqipërisë. Një vlerë e jashtëzakonshme e abitrimit shqiptar, një kollos i tij. Ka qenë një njeri i jashtëzakonshëm, model në të gjitha
drejtimet.

Nga duart e tij kanë dalë shumë arbitra me të cilët ne krenohemi. Kalaci vërtetë mund të konsiderohet i paarritshëm në arbitrim, ndonëse shpresojmë që të arrihet por deri më sot, absolutisht është arbitri më i mirë i Shkodrës, pse jo
edhe i Shqipërisë.

Ai ka arbitruar mbi 200 ndeshje në kategorinë e parë të futbollit shqiptar, sot kategoria Superiore dhe po ashtu edhe
mbi 20 ndeshje ndërkombëtare. Dhe në asnjërën prej tyre, nuk ka qenë asnjë problem. Natyrisht që nuk ka arbitrim pa
gabime por gabimet e Tahir Kalacit kanë qenë kaq të vogla aq sa nuk pati ndonjë ekip në Shqipëri që ta refuzonte atë,
çka ndodhte rradhë me një arbitër tjetër. Ne i jemi borxh shumë Tahir Kalacit, veprës së tij”- do të deklaronte ish-
nxënësi i tij, arbitri i njohur Mhill Shkëmbi.
Gjergj KOLA