Kukësi është skuadra më e mirë e momentit në Superligë. Verilindorët kanë marrë 3 fitore radhazi e këtë javë mposhtën me rezultatin e thellë 1-6 Kastriotin në transfertë. I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv”, kapiteni i Kukësit, Gjelbërim Taipi u shpreh:

“Atmosfera në Shqipëri është shumë e mirë. Vjet kishim një grup të mirë, por nuk kishim rezultate, ndërsa tani kemi rezultate. Gjëja e mirë për t’u marrë shembull në kampionatin shqiptar është 6-7 ekipe kanë stadiume shumë të mira.

Në fushën e Kamzës nuk ia vlen që të luash e kjo mendoj se është me e keqja. Deri tani nuk kemi pasur probleme me financat te Kukësi dhe presidenti Gjici ka qenë korrekt”.

Stadiumi i Kukësit? “Ishte programuar para disa javësh, por specialistët e fushës kanë vendosur që të shtyhet edhe pak. Besoj se në fillim të muajit janar në ndeshjen ndaj Dinamos do të jetë gati”, u shpreh Taipi.

Tifozët? “Këtu në Shqipëri janë disi egoist dhe të mbështesin vetëm kur fiton, ndërsa kur humbet të shkelin me këmbë. Mendoj se skuadra duhet mbështetur kur humbet se kur fiton të duan të gjithë”.

“Nuk mendoj se do të jetë vetëm një garë dyshe këtë sezon. Ka edhe disa skuadra të tjera si Vllaznia, Partizani që luajnë futboll të bukur. Në fillim kisha menduar për Dinamon, por janë 5-6 ekipe që do të luftojnë”.

Ndryshimi te Kukësi? “Mendoj se ka ndikuar ardhja e trajnerit që bën një lojë europiane. Që kur ka ardhur na ka vendosur të punojmë nga ana taktike. Gjatë fazës përgatitore nuk kemi bërë shumë përgatitje, por jemi stërvitur më shumë me topin”.

Në skuadër me vëllain? “Është kënaqësi, por edhe përgjegjësi pasi shumica mendojnë se ka familiarizim aty. E qortoj më shumë atë se lojtarët e tjerë dhe e ka fituar vendin e titullar. Jemi 3 lojtarë në mesfushë së bashku edhe me De Lucas e duket sikur kemi shumë vite që luajmë bashkë”.

Niveli i kampionatit shqiptar? “Në Shqipëri ka shumë futbollistë të mirë dhe me cilësi. Duke hequr Bazelin dhe Young Boys në Zvicër mendoj se ekipet shqiptare janë njësoj me ato të Zvicrës”./newsport/