U zhvillua sot në mjediset e FSHF-së një takim me drejtuesve të Policisë së Shtetit, presidentit Armand Duka dhe përfaqësuesve të “Tifozat Kuq e Zi”.
Ky tifo-grup ka kohë që i ka braktisur ndeshjet e kombëtares në shtëpi, duke pretenduar për sjellje aspak korrekte në raport me të nga uniformat blu.
Për të gjetur një emërues të përbashkët në këtë drejtim, është zhvilluar edhe diskutimi i sotëm, që ka zgjatur jo pak.
Kreu i FSHF-së, Duka, ka hedhur dritë mbi atë që ndodhi mes tri palvëe, në funksion të një zgjidhjeje.
“Ishte një takim i domosdoshëm me grupimin e tifozëve të kombëtares . Të gjithë kishim një qëllim të përbashkët: ta ndihmojnë kombëtaren tonë të futbollit.
Jemi në një klimë të re diskutimesh, për t’i bërë gjërat sa më mirë. “Tifozat Kuq e Zi” do të rikthehen në stadium.
Ata kishin kërkesat e tyre, por do t’i rregullojmë. Nga policia u garantua sjellje korrekte, në bazë të ligjit.
Do të ketë më pak prezencë të policisë në shkallët e stadiumit. Edhe kërkesa e tifozëve kjo është, të ketë korrektesë.
Mos të ketë dënime në grup, por ndëshkime individuale. Ne si FSHF jemi gjithmonë në bashkpunim me policinë.
Asnjë aktivitet nuk mund të bëhet pa miratimin e tyre. Të gjithë tifozët e kombëtares do t’i kemi në mbështetje në ndeshjet e ardhshme, patjetër.
Struktura e kampionatit? Për ta ndryshyar atë, deri më sot nuk kam parë asnjë kërkesë, nga asnjë klub.
Në qoftë se ka, do t’i shqyrtojmë. Në kampionatin që vjen nuk mund të ketë ndryshime, pasi janë gjëra që janë miratuar”./telesport/