Drejtoria Teknike e Federatës Shqiptare të Futbollit organizoi një seminar teorik me trajnerët e ekipeve përfaqësuese rajonale dhe përfaqësuesit e Zyrave Rajonale të Federatës në gjithë vendin. Ky aktivitet u zhvillua në ambientet e FSHF-së dhe u drejtua nga Drejtori Teknik, Xhankarlo Kamolese.
Në një prononcim për FSHF-në, Kamolese theksoi objektivin e seminarit për të përmirësuar nivelin e stërvitjes dhe si rrjedhojë të ndihmojë në zhvillimin e përfaqësueseve rajonale.
“Objektivi është ai që së bashku trajnerët, të cilët punojnë në zyrat rajonale të FSHF-së, t’u ofrojmë futbollistëve tanë atë që futbolli i nivelit të lartë kërkon aktualisht, që do të thotë ushtrime të ndryshme, që së bashku me trajnerët e zyrave rajonale kemi rënë dakord.
“Jemi duke diskutuar me trajnerët dhe jemi dakord që në këtë moment futbolli është akoma më i shpejtë, futboll më intensiv kështu që ka ushtrime që stërvitin të rinjtë tanë se si të shpejtojnë mënyrën e tyre të lojës.”
“Jam i kënaqur, sepse në turneun e ekipeve përfaqësuese rajonale që po organizojmë kam parë një frymë ndryshe, të gjithë skuadrat provojnë të bëjnë një futboll më të shpejtë duke nisur që nga portieri dhe kjo është në sinkron me atë që po shohim në futbollin ndërkombëtar, që zhvillohet çdo ditë”.
“Por kemi shumë rrugë për të bërë bashkë, por unë jam i bindur se me seminare si ky që po bëjmë këtë herë ne do të mund t’i përmirësojmë gjërat gjithmonë në favor të djemve që luajnë futboll në Shqipëri. Këto janë takime shumë të rëndësishme, sepse më japin mundësi të shkëmbej ide më trajnerët, të cilët punojnë në zyrat rajonale.”
“Shqipëria është një vend i madh, ka shumë rajone, ka diferenca mes tyre dhe kjo më jep mundësi edhe mua të kuptoj më mirë gjërat, ndërsa ato sjellin vëzhgimet e tyre për mënyrën e punës që ne sugjerojmë. Për më tepër, jam i bindur se me ndihmën e tyre ne do të gjejmë gjithmonë futbollistë më të talentuar për të përmirësuar ekipet tona kombëtare.”