Tema e stadiumit është më aktuale se kurrë në Milano, me kryetarin e bashkisë së qytetit që paraditen e kësaj të premteje ka pritur në një takim drejtuesi e lartë të Interit e Milanit dhe atë të kompanisë WeBuild, që ka marrë përsipër rikonstruksioni ne “San Siros”.

Takimi ka zgjatur më pak se një orë dhe bashkia ka treguar gatishmërinë që të shesë menjëherë stadiumin mitik te Interi dhe Milani, ndërsa dy klubet kanë parashtruar kërkesat e tyre për kompaninë WeBuild.

Tashmë topi kalon te kjo e fundit që brenda tre muajve do të duhet të paraqesë një projekt të detajuar mbi ndryshimet që do t’i bëhen stadiumit dhe kalendarin e punimeve, të organizuar në mënyrë të tillë që të mos detyrojë skuadrat milaneze të luajnë në stadiume të tjera.

Kryetari i bashkisë së Milanos tha se në takim mbizotëroi një atmosferë pozitive dhe se tashmë i takon studios që të hartojë projektin e detajuar.

Nëse plani do të jetë bindës, atëherë Interi dhe Milani do të anulojnë projektet për të ndërtuar stadiume të reja, për t’u bashkuar edhe njëherë dhe për të modernizuar mitikun “San Siro”, një stadium ku janë shkruar kapituj të rëndësishëm të historisë së futbollit.